Sport

Aguero pritet të debutojë me Barçën ndaj Valencias

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, mund ta ketë përkrahjen publike të presidentit Joan Laporta, por ajo do të testohet në fundjavë, kur gjigantja e La Ligës do të ketë ndeshje të vështirë kundër Valencias.

Pas Valencias, Barcelona në mesjavë ballafaqohet me Dinamo Kievin në Ligën e Kampionëve, ndërsa në fundjavën e ardhshme e pret “El Clasico” e parë e sezonit.

Barcelona e Koemanit nuk do të mund t’i përballojë rezultatet negative kundër Valencias dhe Realit, pasi pozicionohet në vendin e nëntë me 12 pikë pas shtatë ndeshjeve, me një lojë më pak të luajtur.

Një tjetër “rrëshqitje” në mesjavë kundër Dinamo Kievit mund edhe t’i shuajë shpresat për kalimin e fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, pasi humbjet nga Bayern Munichu dhe Benfica e kanë lënë Barcelonën në vendin e fundit të Grupit E.

Barcelona në duelin ndaj Valencias pritet që ta ketë të gatshëm për herën e parë këtë sezon në ndeshje zyrtare sulmuesin argjentinas, Sergio Aguero. Aguero ka pasur probleme të mëdha fizike në 12 muajt e fundit.

Barcelona do ta ketë një tjetër përparësi të dielën në orën 21:00, pasi do të lejohet të mbushet me tifozë i gjithë stadiumi “Camp Nou”.

Dy skuadrat madrilene, Reali dhe Atletico, nuk do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre këtë fundjavë shkaku i angazhimit të lojtarëve të këtyre ekipeve në kualifikimet e Kupës së Botës në Amerikën e Jugut, Evropë dhe Ligën e Kombeve.