Sport

Ranieri nuk shqetësohet nga reputacioni i Watfordit për ndërrimin e trajnerëve

Si trajneri i 15-të me kohë të plotë te Watfordi në dhjetë vjetët e fundit, Claudio Ranieri është plotësisht i vetëdijshëm për pasigurinë e punës së tij te skuadra nga Premier League. Sidomos si italian.

“Në Itali, kjo është normale. Por unë mendoj se edhe në Angli është e njëjta gjë. Sidomos te Watfordi”, pranoi Ranieri.

Jo për shkak se Ranieri kishte ndonjë rezervë në lidhje me rikthimin në futbollin anglez për të marrë drejtimin e klubit të 18-të në karrierën e tij si trajner. Por Watfordi është një klub - në pronësi të biznesmenit italian Gino Pozzo - i cili nuk heziton aspak për të hequr qafe trajnerët.

“Unë kurrë nuk heq dorë. Unë vazhdoj rrugën time”, tha Ranieri, i cili u prezantua të mërkurën te Watfordi. “Unë kam një karakter të fortë dhe jam ende i ri”.

Ranieri ishte shumë i vendosur derisa përshkroi synimin e tij për të mbajtur Watford në Premier League, pavarësisht se ekipi i tij i ri është favorit për të rënë në Championship në fund të këtij sezoni. Watford është i 15-i në ligën me 20 skuadra, pasi ka tubuar shtatë pikë në po aq ndeshje të zhvilluara. Ishte humbja e fundit nga Leedsi (1:0) që ia shkaktoi Xisco Munozit – një ish-lojtar i Ranierit te Valencia – me shkarkim në fillim të këtij muaji. Ranieri, i cili e udhëhoqi Leicesterin drejt një titulli të pamundur të Premier Leagues në vitin 2016, insistoi se pret nga lojtarët e tij që të luftojnë dhe të mos dorëzohen deri në fund. E këtë dëshiron ta shohë qysh në ndeshjen e tij debutuese, atë kundër Liverpoolit që e luan të shtunën. Edhe pse periudha e tij e fundit si trajner në Angli te Fulhami gjatë sezonit 2018/19 zgjati vetëm tre muaj e gjysmë për shkak se nuk ishte në gjendje të ndalonte rënien e klubit londinez në një kategori më poshtë. Mirëpo Ranieri tha se në Itali është treguar i suksesshëm sa i përket shpëtimit të klubeve nga rënia.

“Shumë kohë më parë, e shpëtova Parmën. Ndërsa para dy vjetësh e shpëtova edhe Sampdorian”, tha Ranieri për ekipin nga Genoa, të cilin e mori në pozitën e fundit në tabelë. “Ne duhet të jemi të sigurt dhe pastaj ngadalë, ngadalë të ngjitemi lart. Programi është shumë i mirë, shumë ambicioz. Por unë jam edhe më ambicioz”.

Trajneri italian që javën e ardhshme mbush 70 vjet, ka qenë edhe në krye të skuadrave të tjera të njohura të Evropës, si Roma, Nantesi, Monaco, Interi, Juventusi, Chelsea, Atletico Madridi, Fiorentina e Napoli. Ai gjithashtu për një periudhë ishte edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Greqisë.