Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka parasysh se do të duhet t’i menaxhojë minutat e Cristiano Ronaldos, për ta mbajtur 36-vjeçarin në nivelin aktual.
Solskjaer do të përpiqet të tregohet i kujdesshëm në këtë aspekt, pasi është mënyra e vetme për ta ruajtur ndikimin e yllit portugez në ekipin e tij.
Ronaldo ka shënuar pesë gola në po aq ndeshje prejse u kthye te Manchester Unitedi, ekip të cilit iu bashkua gjatë afatit kalimtar të verës nga Juventusi. Ronaldo shënoi në minutën e 95-të për të siguruar fitoren 2:1 ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve, të mërkurën mbrëma, dhe lehtësoi pak presionin ndaj Solskjaerit, që ishte në seri prej tri humbjeve në katër ndeshje.
Pas golit ndaj Villarrealit, Ronaldo e hoqi fanellën për të festuar, por njëkohësisht e zbuloi fizikun e tij fantastik, duke bërë që Solskjaer të kërkojë nga lojtarët e tjerë të ekipit ta marrin shembull portugezin për përgatitjet që i bën. Megjithatë, trajneri norvegjez pranoi se ai nuk do të jetë në gjendje të mbështet te Ronaldo gjatë gjithë kohës.
“Ai ka pasur një ndikim të madh brenda dhe jashtë fushës për atë se sa profesional është. Dëshmia më e mirë për këtë janë golat, saktësisht pesë golat e tij në pesë ndeshje të luajtura deri më tani”, u shpreh Solskjaer. “Në moshën e tij, ai është akoma i aftë. Sigurisht që ne duhet ta menaxhojmë atë, duhet të sigurohemi që ai mund të vazhdojë me formën aktuale. Ai është një shembull shumë i mirë për të gjithë lojtarët e tjerë për mënyrën se si përgatitet, si sillet. Për fat të keq më duhet t’i menaxhoj minutat e tij, sepse jam i detyruar. Vetëm në këtë mënyrë mund ta ruaj ndikimin e Ronaldos në ekip”.
Unitedi kthehet në aksion të shtunën në stadiumin “Old Trafford”, më pak se tri ditë pas duelit në Champions me Villarrealin. Prej orës 13:30, Unitedi do të përballet me Evertonin dhe Solskjaer ka pranuar se aspak nuk është i kënaqur me orarin e këtij takimi.
“Ne nuk kishim asnjë shpjegim për këtë orar që ndeshjen ta luajmë në kohën e drekës, por është televizioni natyrisht që e cakton këtë. Nuk ka sens të përbashkët kjo. Ne kishim të njëjtin skenar edhe sezonin e kaluar”, shtoi Solskjaer, duke insistuar se ndeshja me Evertonin është dashur të luhet të dielën.
“Për këtë arsye jam i detyruar t’i menaxhoj minutat e Ronaldos, sepse është ngarkesë e madhe. Ne dhe Chelsea luajtëm të mërkurën dhe mund të kishim luajtur lehtësisht të dielën, ndërsa dueli City - Liverpool mund të ishte të shtunën, sepse luajtën një natë më herët”.
Trajneri i Unitedit tashmë është i mbushur me opsione për repartin e sulmit, por paralajmëroi se së shpejti do ta ketë në dispozicion edhe një yll tjetër për të zgjedhur. Marcus Rashford është pranë kthimit në fushë pas operacionit në shpatull. Rashford nuk ka luajtur për klubin apo vendin që nga humbja e Anglisë në finale të “Euro 2020” nga Italia.
“Marcusi të premten stërviti me ekipin për herë të parë. Ai dukej mirë dhe kthimi i tij më gëzon pa masë. Së shpejti do të jetë i gatshëm për lojë, për të shtuar opsionet në sulm dhe për të më mundësuar t’i menaxhoj minutat e të tjerëve në këtë sezon të ngjeshur me ndeshje”, shtoi Solskjaer.