Tetë skuadra, katër nga Kosova dhe katër nga Shqipëria, do të paraqiten në edicionin e dytë të Ligës Unike, i cili fillon në fund të muajit të ardhshëm.
Të enjten, Liga Unike ka konfirmuar edhe skuadrat pjesëmarrëse për edicionin 2021/22.
Në këtë ligë të përbashkët, Kosova do të përfaqësohet nga Golden Eagle Ylli, Prizreni-16, Rahoveci dhe Peja ndërsa Vllaznia, Kamza, Tirana Neptun dhe Teuta, janë skuadrat nga Shqipëria.
Për dallim prej edicionit të shkuar, kur Liga Unike u mbajt në formë të turneut dhe triumfoi skuadra e Yllit, në sezonin e ri tetë skuadrat do të garojnë për ta fituar titullin e kampionit.
“Në konkurrencën e meshkujve Liga Unike do të zhvillohet me sistem të dyfishtë vajtje-ardhje në edicionin 2021-2022. Pas përfundimit të 14 xhirove të rregullta në konkurrencën e meshkujve, vendet 1-2 kualifikohen direkt për ‘Final 4’, ndërsa vendet 3-6 dhe 4-5 luftojnë për vendin e tyre në ‘Final 4’ përmes dy ndeshjeve kualifikuese vajtje-ardhje, në të cilat takohen ekipet 3-6 dhe 4-5”, thuhet në njoftimin e Ligës Unike.
Megjithatë, para nisjes të sezonit 2021/22, do të mbahet Superkupa Mbarëkombëtare në të dyja konkurrencat në fillim të muajit tetor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.