Sport

Rruga e Khalidit nga Prishtina te Sheriffi i Championsit

Kur ishte transferuar nga Gana në futbollin e Kosovës, Basit Khalid kishte thënë se synim e ka daljen në një ekip më të madh të Evropës dhe të luajë në Ligën e Kampionëve.

Gjashtë vjet më vonë Khalid e ka realizuar ëndrrën e tij pasi është pjesë e një skuadre që po merr pjesë këtë edicion në Champions. Mirëpo ai ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje për Sheriff Tiraspolin në fazën e grupeve të garës më elitare të Evropës. Sheriffi këtë edicion për herë të parë po paraqitet në Ligën e Kampionëve dhe pas dy ndeshjeve të para në fazën e grupeve ka regjistruar dy fitore. Është lider i Grupit D me gjashtë pikë të mbledhura pas fitoreve ndaj Shakhtarit (2:0) në shtëpi dhe Real Madridit (2:1) në “Santiago Bernabeu”. Pjesë e këtij grupi është edhe Interi dhe sulmuesi Khalid po shpreson që Sheriffi të avancojë në fazën e nokautit. Ai nuk ka të drejtën të paraqitet në fazën e grupeve për shkak se iu bashkua Sheriffit para dy javësh. Megjithatë, nëse Sheriffi avancon nga faza e grupeve, atëherë Khalid do të mund të luajë në Ligën e Kampionëve.

“Unë nuk mund të luaj në fazën e grupeve, por vetëm në fazën tjetër nëse ekipi arrin të kualifikohet. I jam bashkuar ekipit pasi është dorëzuar lista e lojtarëve për fazën e grupeve të Championsit, kështu që duhet të presë”, ka thënë Khalid të mërkurën për KOHËN, një ditë pas fitores së madhe të Sheriffit ndaj Real Madridit. “Kur u largova nga Gana, synimi im gjithmonë ka qenë që të luaj në një ekip që do të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve. Tani jam pjesë e këtij ekipi dhe po e pres debutimin tim në Champions, që do të jetë realizim i ëndrrës sime”.

Khalid e ka cilësuar si fitore të madhe triumfin e Sheriffit ndaj Realit, ndonëse ka pranuar se ka pasur dëshirë që të ishte pjesë e ekipit për këtë ndeshje. Ai thotë se kjo fitore i ka dhënë besim të madh ekipit dhe është optimist se mund të luajë në fazën e nokautit pasi insiston se Sheriffi ka gjasa të mira për të avancuar tutje.

“Ishte një fitore e madhe në Madrid, por atmosfera në ekip është e qetë dhe normale sepse ka edhe shumë rrugë për të bërë që të avancojmë nga faza e grupeve. Një fitore e ëmbël, e cila shpresoj të na motivojë që të vazhdojmë me rezultate të mira në Champions”, është shprehur Khalid, që te Sheriffi e bart fanellën me numrin shtatë. “E kemi nisur mirë dhe shpresoj që ta kalojmë fazën e grupeve pasi dëshira ime është të luaj në garën më të fortë të Evropës. Jam optimist për këtë”.

25-vjeçari më 17 shtator u prezantua te Sheriffi, ekip me të cilin firmosi kontratë deri në vitin 2024. Pesë ditë pas prezantimit Khalid debutoi në kampionatin e Moldavisë. Ai u inkuadrua nga banka e rezervistëve dhe luajti 28 minuta në fitoren 4:0 ndaj Florestit. Ndërsa vikendin e shkuar Khalid u aktivizua për 67 minuta në fitoren e thellë 7:0 kundër skuadrës Dinamo-Auto, ku kontribuoi me një asistim.

“Po ndihem mirë në ekip, jam adaptuar dhe tashmë kam luajtur në kampionat. Natyrisht që po punoj për të pasur minutazhë më të madhe dhe besoj se do ta kem në ndeshjet e tjera. Shpresoj ta ndihmoj ekipin me gola për ta fituar titullin e kampionit”, shtoi Khalid.

Khalid në verën e vitit 2016 iu bashkua Prishtinës nga skuadra elitare e Ganës, Dreams FC. Për tre vjet te Prishtina, Khalid fitoi dy herë Kupën e Kosovës përpara se të largohet. Pas Prishtinës, ai luajti te Teuta e Durrësit në Shqipëri për të vazhduar te Makedonija në Maqedoninë e Veriut dhe Esperance në Tunizi. Te Sheriffi është transferuar si lojtar i lirë.

“Rruga ime për të arritur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, por kurrë nuk jam dorëzuar. Gjithmonë kam punuar shumë dhe kam besuar se do t’ia dal mbanë. Tani e kam rastin dhe dua ta shfrytëzoj”, ka deklaruar Khalid, i cili po ashtu pret një ftesë në të ardhmen nga Përfaqësuesja e Ganës. “Edhe debutimi me Ganën është një prej synimeve të mia dhe besoj që nëse do të luaj mirë te Sheriffi dhe do të debutoj në Ligën e Kampionëve, atëherë do ta marrë ftesën për ta përfaqësuar vendin tim që do të ishte nder i madh”.

Sheriffi është ekipi më të suksesshme të Moldavisë. Ka fituar 19 tituj të kampionit, dhjetë kupa dhe shtatë Superkupa të Moldavisë duke vendosur rekord. Është ekipi i parë nga Moldavia që ka arritur në fazën e Ligës së Kampionëve, ndërsa është paraqitur edhe në Ligën e Evropës në katër raste.