Përzgjedhësi i përfaqësueses U17 të Kosovës në futboll (vajzat), Kushtrim Munishi ka vlerësuar lart paraqitjen e së hënës ndaj Bjellorusisë. Ndeshja e luajtur në Luksemburg përfundoi 1:1. Kosova U17 po luan në grupin e parë të Ligës B të kualifikimeve për Euro 2022.
“E kemi merituar të shënojmë fitore. Në pjesën e dytë kemi dominuar, por fati nuk ishte në anën tonë. Kemi humbur shumë raste ideale”, ka thënë Munishi për KOHËN. Kosova është e para në grup me 4 pikë, sa i ka edhe Bjellorusia. Pas tri ditësh Kosova luan me Luksemburgun, ndërsa Bjellorusia me Gjeorgjinë. Kosova kalon në Ligën A për fazën e dytë kualifikuese. “Gjasat për kualifikim janë ende. Duhet të fitojmë ndaj Luksemburgut dhe të shikohet goldallimi në mes nesh dhe Bjellorusisë, e cila pritet të fitoj kundër Gjeorgjisë. Mund të them se sonte kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë kundër një kundërshtari shumë të fortë fizikisht”, ka shtuar Munishi. Kosova të premten kishte fituar 13:0 ndaj Gjeorgjisë.