Komisioni i Garave i Superligës së Kosovës në futboll të hënën ka bërë inicimet disiplinore lidhur me incidentin që ndodhi në ndeshjen mes Dritës e Gjilanit.
Ndeshja e javës së pestë, Drita – Gjilani, u luajt të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Fitore shënoi Gjilani me shifrat 2:0, ndërsa në pushim mes pjesëve erdhi te një incident mes tifozëve. Sipas Komisionit të Garave, ishin tifozët e Gjilanit që provokuan ata të Dritës.
Ndaj Dritës, që ishte organizatore e ndeshjes, është iniciuar procedurë disiplinore për lëshim në organizim.
Tifozët e Dritës fillimisht kanë hedhur mjete pirotektnike në tribunën lindore, ndërsa më pas edhe mjete piroteknike tymëse.
“Gjatë pauzës, tifozët mysafirë të Gjilanit provokojnë ata të Dritës, që pastaj vërsulen drejt njëri-tjetrit, ku fillon përleshja me shufra metali, me ulëse plastike dhe grushte, për çka pjesa e dytë filloj me 15 minuta vonesë”, thuhet në vendimin e KG-së. Sipas këtij organi të FFK-së “në tribunën lindore ku ishin tifozët e Dritës janë shkaktuar dëme materiale: disa ulëse të thyera, rrethoja e dëmtuar, në tualete disa pllaka të qeramikës të thyera si dhe është dëmtuar dera e zhveshtores ku ishte e vendosur Drita”.
Inicim disiplinor është bërë edhe ndaj Gjilanit.
“Tifozët e Gjilanit provokuan ata të Dritës. Si pasojë vërsulen ndaj njëri-tjetrit duke u përleshur me shufra metalike, ulëse plastike që ishin prapa portës dhe grushtime. Me këtë rast janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në infrastrukturën e stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Para fillimi të pjesës së dytë tifozët e Gjilanit ndezin mjete pirotektnike tymuese si dhe dëmtojnë disa karrige në tribunën veriore të stadiumit”. Federata e Futbollit e Kosovës edhe të dielën ka dënuar “sjelljet vandale të tifozëve” në derbi. FFK-ja kishte dhënë leje që ndeshja të organizohej në Prishtinë për faktin se stadiumi në Gjilan po rinovohet.
Por dëmet që i janë bërë stadiumit të vetëm në vend që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare, janë pritur rëndë nga Federata e Futbollit.
“Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër aktet e dhunës nga tifozëritë e dy skuadrave në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen mes Dritës e Gjilanit. FFK-ja është e indinjuar me sjelljet vandale të tifozerive të të dyja skuadrave si dhe me organizimin e dobët të ndeshjes”, ka thënë për KOHËN, Blerim Halimi, zyrtar për media i FFK-së.
“FFK-ja ua bën të qartë klubeve se kjo do të jetë hera e fundit që ka dhënë leje për zhvillimin e ndeshjeve në ‘Fadil Vokrri’, ngase ky është stadiumi i vetëm që i plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare dhe është stadium i kombëtares të cilin duhet ta ruajmë të gjithë e jo të bëjnë sjellje vandale dhe ta dëmtojnë inventarin. Federata vazhdimisht po u del në përkrahje klubeve, por njerëz të pandërgjegjshëm po e keqpërdorin këtë, duke shkatërruar atë që është bërë me shumë mund e djersë”, ka shtuar zyrtari për media i FFK-së.