Sport

KB Prishtina fiton pas dy vazhdimeve

Sigal Prishtina ka fituar ndeshjen e javës së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në Rahovec, Prishtina e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultatin 105:104. Bashkimi ishte vendas, por e organizoi ndeshjen në Rahovec.

Ndeshja e fundit e xhiros së tretë është vendosur vetëm pas dy vazhdimeve nga pesë minuta. Pas 40 minutave lojë rezultati ishte 81:81, ndërsa pas vazhdimit të parë shifrat ishin 91:91. Për Prishtinën është fitorja e dytë, ndërsa për Bashkimin humbja e dytë.

Lejson Zeqiri u dallua te Prishtina me 30 pikë e dhjetë kërcime. 26 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime i shtoi Nicholas Tomsick.

Immanuel King i Bashkimit i kishte 21 pikë e 13 kërcime. Julien Lewis shtoi 27 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime.