Sport

Usyk: Ende nuk e keni parë më të mirën nga unë

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka thënë se ende tifozët nuk e kanë parë më të mirën nga ai.

Ukrainasi Usyk të shtunën mbrëma në Londër befasoi britanikun Anthony Joshua duke ia rrëmbyer titujt e botës në peshën e rëndë në boks.

Usyk pasi i kishte unifikuar të gjithë titujt e mëdhenj në kategorinë kruzer, tash është bërë kampion bote në peshën e rëndë. Është pronar i titujve WBA, IBF, WBO dhe IBO, ndërsa i mungon vetëm edhe titulli WBC të cilin e ka britaniku Tyson Fury.

Usyk ka thënë se nuk ishte plani i tij ta nokautonte Joshuan.

“Do të thotë shumë për mua. Meçi shkoi saktësisht siç kam pritur të shkonte. Kishte momente kur Anthony më shtyu të jap më tepër nga vetja, por asgjë e veçantë. Nuk kisha synim ta nokautoja. Këndi im më shtyu të mos e bëja këtë. Unë kam punuar fortë që nga janari. Më janë dashur gjysmë viti. Më mungojnë fëmijët dhe dua të kthehem në shtëpi. Nuk po mendoj për rimeç. Nuk e keni parë më të mirën nga Usyku. Mund të bëjë shumë më tepër”, tha Usyk për mediumet pas meçit.

Usyk triumfoi me vendim unanim të gjyqtarëve, 117:112, 115:113 dhe 116:112. Për të është fitorja e 19-të në boksin profesionist nga po aq meçe. Ukrainasi 34-vjeçar i ka 13 fitore me nokaut.

Për Usykun është vetëm meçi i tretë në peshën e rëndë. Në këtë kategori kaloi në tetor të vitit 2019.