Sport

Mbrojtësi Hakimi po dëshmohet edhe si golashënues te PSG-ja

Descriptive Text

Ndërsa tifozët e Paris Saint-Germainit me padurim presin golin e parë të yllit Lionel Messi për klubin e tij të ri, ata tashmë kanë qenë dëshmitarë të aftësive të jashtëzakonshme shënuese të Achraf Hakimit.

Hakimi është një mbrojtës i krahut të djathtë, por përfundimi i tij i aksioneve e bën të denjë për një sulmues. Ai këtë e tregoi edhe një herë të mërkurën mbrëma, me dy golat që i shënoi në fitoren e vështirë të PSG-së përballë Metzit me rezultatin 2:1. Goli i tij i dytë, që e realizoi në minutën e pestë të kohës shtesë, ia mundësoi Parisit që të vazhdojë serinë e fitoreve në Ligue 1.

Dhe nëse PSG-ja fiton edhe të shtunën në shtëpi ndaj Montpellierit, atëherë do ta regjistrojë fitoren e tetë në po aq ndeshje të luajtura këtë edicion. Golat e Hakimit ishin të këndshëm për mënyrën se si u shënuan me teknikën e madhe dhe me gjakftohtësinë e shkëlqyer të mbrojtësit. Hakimi ka mundur të shënojë “hat-trick” ndaj Metzit, por e goditi traversën.

“Unë nuk e shoh veten si mbrojtës, por edhe si sulmues nëse me jepet mundësia të depërtoj dhe të shënoj gola. Gjithmonë kam luajtur kështu dhe jam i lumtur që po e ndihmoj ekipin në mënyra të ndryshme”, ka pranuar Hakimi.

Në fakt, Hakimi me fanellën e PSG-së shënoi gol në debutim. Ai pas vetëm 18 minutave e kaloi në epërsi Parisin në duelin kundër Troyesit, të cilin në fund PSG-ja e fitoj me rezultatin 2:1. Deri më tani Hakimi ka shënuar tre gola dhe ka bërë dy asistime për Parisin në nëntë paraqitje në të gjitha garat.

Vrapimi, driblimi dhe gjuajtja e Hakimit e bëjnë atë të duket ndonjëherë si një sulmues krahu. Sezonin e kaluar shtatë golat e tij e ndihmuan Interin ta fitojë titullin e kampionit në Serie A pas një pritjeje prej 11 vjetësh. Sidoqoftë, vetullat u ngritën kur PSG-ja pagoi 60 milionë euro për ta blerë atë - një çmim i madh për një mbrojtës, lëre më një mbrojtës të krahut të djathtë. Ardhja e Messit nga Barcelona ishte pika kryesore e një përpjekjeje të madhe rekrutimi, por deri më tani Hakimi duket si përforcimi më i mirë i PSG-së.

22-vjeçari nga Maroku është i shpejtë, atletik, i pakapshëm dhe i fortë. Niveli i tij i aftësisë fizike i lejon të sulmojë përpara dhe të kthehet shpejt për t'u mbrojtur. Ndërsa mesfushori Georginio Wijnaldum ka bërë një fillim të ngadaltë që kur u bashkua nga Liverpooli dhe portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, po lufton me veteranin Keylor Navas për fanellën e titullarit, Hakimi u vendos menjëherë në formacion dhe është i pazëvendësueshëm në pozitën e tij.

“Jam shumë i lumtur për të, ai është një djalë i mirë”, tha trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, për Hakimin. “Ai sjell shumë në ekip, jo vetëm golat e tij, por të gjithë punën që ai bën në krahun e tij”.

Mbrojtësi i majtë i PSG-së, Juan Bernat, është afër rikthimit pas një viti jashtë fushës me një dëmtim të rëndë në gju. Kur ta bëjë këtë, do t'i japë PSG-së dy prej mbrojtësve sulmues më të rrezikshëm në futbollin evropian.