Sport

Pas humbjes nga Celta, Mustafi premton stabilitet në mbrojtjen e Levantes

Aventura e qendërmbrojtësit shqiptar, Shkodran Mustafi, nuk ka filluar në mënyrën më të mirë në La Liga te skuadra e Levantes. Në ndeshjen e parë të Mustafit si titullar, Levante ka pësuar humbje në shtëpi nga Celta Vigo, me rezultatin 2:0 të martën mbrëma. Mustafi luajti gjatë tërë ndeshjes ndaj Celtas dhe të mërkurën pranoi se gabimet në mbrojtje i kushtuan me humbje Levantes në xhiron e gjashtë të kampionatit spanjoll. Për Mustafin kjo ishte paraqitja e dytë te Levante pasi fundjavën e shkuar luajti për dhjetë minuta në barazimin 1:1 në udhëtim ndaj Elches. Deri më tani Mustafi ka në total 100 minuta lojë me fanellën e Levantes. Sipas tij, sistemi i lojës me pesë mbrojtës mund ta ndëshkojë Levanten herë pas here për shkak se janë larg zonës së rrezikshme të ekipit kundërshtar.

“Dy gabime në mbrojtje na kushtuan me humbje pasi Celta e kishte topin më shumë në posedim. Megjithatë, ne nuk iu lejuam shumë hapësirë dhe kjo është diçka pozitive për ndeshjet e tjera, por në këtë nivel të garave dy gabime të kushtojnë shumë”, ka thënë Mustafi të mërkurën për sajtin zyrtar të Levantes. “Mendoj se e kishim shumë vështirë të shkonim te porta e kundërshtarit për shkak të vendosjes sonë në fushë. Nuk ishim shumë të rrezikshëm, sepse përkundër që rikuperonim topa, në ishim shumë larg portës së Cetlas”.

29-vjeçari pranoi se ende nuk është në formën e tij më të mirë, por shtoi se do të jetë gati për duelin e radhës. Ndeshjen tjetër Levante e luan të dielën në “Camp Nou” kundër skuadrës së Barcelonës. Ai insistoi se me kalimin e kohës do të stabilizohet dhe do ta ndihmojë Levanten që të ketë stabilitet më të madh në repartin e mbrojtjes. Sipas tij, Levante do ta kërkojë fitoren ndaj Barçës.

“Tani është koha të punojmë më shumë në stërvitje dhe të jemi gati për ndeshjen e radhës. Do të jetë në përballje e vështirë në udhëtim te Barcelona, por edhe ata kanë probleme dhe ne do të shkojmë me synimin për të marrë tri pikët nga kjo ndeshje”, ka paralajmëruar Mustafi.

Mustafi në fillim të këtij muaji iu bashkua Levantes si lojtar i lirë dhe me ekipin spanjoll firmosi kontratë deri në vitin 2023, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Para Levantes, Mustafi ka bërë karrierë edhe te Schalke, Arsenali, Valencia e Sampdoria. Ai ka edhe 20 paraqitje dhe dy gola të shënuar me Përfaqësuesen e Gjermanisë, me të cilën e fitoi titullin e botës në vitin 2014.