Klubi i basketbollit Trepça ka reaguar pas vendimit të komesarit të garave, Faton Kurshumlija, lidhur me incidentin që ndodhi pas ndeshjes me Prizrenin.
Pas ndeshjes të luajtur të dielën në “Minatori”, ishte sulmuar lojtari i Prizreni-16, Ivan Koleviq. Trepça është gjobitur me gjithsej 8100 euro, ndrësa tre lojtarë të saj janë gjobitur me nga 600 euro dhe me një ndeshje moslojë. Një zyrtar i Trepçës është përjashtuar përjetë nga basketbolli. Pra gjithsej mitrovicasit janë dënuar me 8100 euro.
“Dënimi i shqiptuar ndaj zyrtarit të klubit është arbitrar dhe në kundërshtim me propozicionet e garave. Sipas propozicioneve, një vendim i tillë mund të merret për lëndime të rënda, ndërsa të tilla nuk mund t’i cilësoj askush pa bazë të dokumentuar. Këto dënime konsiderohen shumë të rënda dhe të njëanshme për ngjarjen në të cilën iniciatori kryesor ka qenë Koleviq, të cilit çuditërisht nuk i është shqiptuar asnjë masë disiplinore”, thuhet në reagimin e Trepçës ku i bëhet thirrje komesarit dhe FBK-së që të rishqyrtojnë vendimet.