Sport

Prizreni njofton se do t’i drejtohet FIBA-s

Lidhur me incidentin në ndeshjen me Trepçën dhe vendimet e komesarit të garave për atë incident, të martën mbrëma me komunikatë ka dalë edhe klubi i basketbollit Prizreni-16.

Pas ndeshjes në Mitrovicë, ishte sulmuar fizikisht lojtari i Prizrenit, Ivan Koleviq. Bordi i Prizrenit ka mbajtur mbledhje dhe ka lëshuar komunikatë, ku thuhet se janë të indinjuar me vendimet e komesarit të garave.

Sipas Prizrenit, në vendime kishte lëshime të shumta. Prizrenasit kanë numëruar disa lëshime në vendim, ndërsa kanë paralajmëruar se rastin do ta dërgojnë në FIBA.

“Juristët e klubit tonë janë duke e përpiluar raportin dhe me atë do të njoftojmë të gjitha organet e FIBA-s për rastin dhe vendimin e shkallës së parë që është bërë nga Komesari i garave. Dhe të konfirmohet se ndeshja është e kryer vetëm atëherë kur protokolli i ndeshjes nënshkruhet, 20 minuta pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarëve”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Prizrenit.