Sport

Norvegjezet presin që ndeshja me Kosovën të jetë e ngjashme me atë që e fituan 10:0

Descriptive Text

Dy ndeshje krejtësisht të ndryshme i ka luajtur së fundi Norvegjia, me të cilën përballet Kosova të martën në “Fadil Vokrri” nga ora 19:00. Futbollistet e Norvegjisë më 15 qershor luajtën miqësore ndaj Holandës. Humbën shumë thellë, 7:0. Është humbja më e thellë që e ka pësuar Norvegjia ndonjëherë.

Por fytyrë krejt tjetër kishte përfaqësuesja norvegjeze më 16 shtator. Në hapje të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2023, Norvegjia fitoi 10:0 ndaj Armenisë. Tani Norvegjia luan me Kosovën në “Fadil Vokrri”. Dhe norvegjezet kanë parashikuar një ndeshje të ngjashme me atë që e kishin ndaj Armenisë. Por megjithatë kanë vlerësuar se Kosova qëndron një nivel më lartë.

“Me gjasë do të jetë pak e ngjashme me ndeshjen që e kishim ndaj Armenisë. Por unë mendoj se Kosova është një nivel më e mirë”, ka thënë Maria Thorisdottir, mbrojtësja e Norvegjisë dhe e Manchester Unitedit. “Do të marrim me vete lojën e mirë sulmuese që e kishim ndaj Armenisë dhe do të vazhdojmë të punojmë në të”, ka shtuar ajo.

Kosova javën e kaluar luajti 1:1 me Shqipërinë. Te Kosova kanë premtuar angazhim, duke pranuar cilësinë e norvegjezeve. Norvegjia është favorite e madhe e grupit. Por në klubet lokale, lojtaret norvegjeze luajnë në klube të njohura evropiane. Norvegjia paraqitet rregullisht në kampionate botërore. Ishte kampione në vitin 1995, ndërsa në vitin 2019 u ndal në çerekfinale. Ka medalje të artë olimpike nga viti 2000, por nuk është kualifikuar në tri Olimpiadat e fundit.

Në Evropian, Norvegjia zakonisht shkon deri në fazën finale. Ka dy tituj, të fundit në vitin 1993. Në vitin 2013 ishte nënkampione, ndërsa në vitin 2017 u ndal në fazën grupore.

“Pritjet nga ne janë më të mëdha tani”, ka thënë trajneri i Norvegjisë, Martin Sjoegren. “Nëse duam të kemi ndeshje të ngjashme me atë ndaj Armenisë, duhet të kemi dëshirë të madhe për të krijuar në lojën sulmuese”.

Kosova është në fazë të hershme të garimit ndërkombëtar. Është në ciklin e tretë kualifikues, të dytin për Botëror. Në ciklin e parë për Botëror nuk mori ndonjë fitore, pësoi tri humbje. Për “Euro 2022” bëri hapat para. U rendit e katërta prej gjashtë përfaqësueseve, duke dominuar ndaj Turqisë e Estonisë. Ndonëse trajtimin nuk e ka më të mirin, përfaqësuesja e futbollisteve po zhvillohet. Futbollistet kanë mësuar edhe prej humbjeve të thella me Slloveninë (5:0) Rusinë (5:0) Holandën (6:0, 6:0). Niveli më i lartë evropian është ende i largët për Kosovën, por ndeshjet me përfaqësueset e mëdha vlerësohet se shërbejnë për përvojë.