Sport

Rashani për KOHËN: Nuk e kam pritur një fillim kaq të mirë, shpresoj të vazhdoj njëjtë

Descriptive Text

“Natyrisht se me yjet që janë, futbolli francez përcillet më shumë në të gjithë botën. Jam krenar të luaj në një ligë me yjet si Messi dhe të tjerët dhe të garojë me ta. Është përvojë e jashtëzakonshme si lojtar, por edhe si njeri. Mund t’iu tregojë fëmijëve për këtë eksperiencë”, ka theksuar Elbasan Rashani të hënën për KOHËN. Ai së bashku me Mbappen dhe dy lojtarë të tjerë janë golashënuesit më të mirë në kampionatin francez

Kur vëmendja e tifozëve të futbollit është kthyer drejt Ligue 1 si asnjëherë më parë, në këtë ligë po shkëlqen edhe një lojtar i Kosovës.

Bëhet fjalë për Elbasan Rashanin, sulmuesin e krahut, që po kalon moment të ndritshëm te Clermonti. Clermonti për herë të parë në histori po luan në elitën franceze. Rashani për herë të parë në karrierë po luan në një ligë të madhe evropiane.

Dhe bashkëpunimi Clermont – Rashani po del të jetë shumë i suksesshëm. I suksesshëm për skuadrën por edhe për 28-vjeçarin.

Në gjashtë ndeshjet e deritashme, Rashani ka shënuar katër gola, ndërsa e ka edhe një asistim. Nisi me asistim e më pas vazhdoi me gola. Ende nuk ka kompletuar ndeshje, ka startuar në dy, por hapësirën që kishte e ka shfrytëzuar maksimalisht.

Së fundi reprezentuesi i Kosovës shënoi të dielën për barazimin 1:1 me Brestin. Luajti 77 minuta.

Për Clermontin secila pikë e fituar është e madhe. Skuadra e Rashanit mban pozitën e gjashtë në tabelë me 9 pikë nga gjashtë ndeshje.

“Fillimi është shumë i mirë. E kam gjetur vendin në skuadër. Jam përshtatur shumë mirë me ekipin dhe shpresoj se do të vazhdoj kështu”, ka thënë Rashani të hënën mbrëma për KOHËN.

Për formën e mirë, Rashani nuk merr meritat për vete.

“Kam bashkëlojtarë shumë të mirë, me shumë talent. Natyrisht që është më e lehtë të kesh sukses kur është ekipi i fortë”.

Rashani është i lindur në Suedi, ndërsa Është rritur dhe është zhvilluar si lojtar në Norvegji. Si senior ka nisur te Oddi. Më pas luajti në Danimarkë për Brondbyn në Danimarkë. Vazhdoi te Rosenborgu në Norvegji e më pas sërish te Oddi, nga viti 2017 e deri në fund të vitit 2020.

Në janar të këtij viti u transferua te Erzurumspori në Turqi. Por kjo skuadër nuk siguroi ekzistencën në elitën turke dhe Rashani u largua. Pak kush e ka pritur që Rashani nga një ekip inferior i kampionatit turk të transferohet në një ekip të Ligue 1, njërës prej pesë ligave të mëdha evropiane. Për më tepër që të luaj dhe të shënoj gola.

Rashani është i vetëdijshëm se ka shpërthyer në ligën bindshëm më të fortë ku ka luajtur deri më tani.

“Liga është shumë më e fortë se ligat ku isha më herët. Për disa shkallë madje. Luhet futboll më i shpejtë, fizikisht janë më të fortë. Jam i kënaqur që kam filluar kështu. Duhet të punoj shumë për të vazhduar njëjtë”, ka theksuar Rashani, që për Kosovën ka katër gola në 20 paraqitje. Ai më herët ka luajtur për të rinjtë e Norvegjisë.

Vlerësimet në Francë për Rashanin janë shumë pozitive. Edhe për ndeshjen e fundit, mediat e mëdha franceze e kanë vlerësuar lojtarin kryesor.

“Vlerësimet janë pozitive. Nuk është pritur që të të filloj kështu. As unë personalisht nuk e kam pritur që të përshtatem kaq shpejtë në ekip, të kam kaq shumë hapësirë. Jam i vetëdijshëm prej nga jam transferuar dhe se kam pritur këtë hapësirë që e kam. Por shpresoj të vazhdoj me këtë formë”.

Rashani, Kylian Mbappe, Moussa Dembele dhe Amine Gouiri kanë nga katër gola në Ligue 1. Janë golashënuesit më të mirë.

Me transferimin e Lionel Messit dhe disa yjeve tjerë te PSG-ja, vëmendja e futbolldashësve nëpër botë është kthyer te kampionati francez. Me gjasë Ligue 1 është në momentin më të mirë të saj sa i takon famës. Dhe pikërisht në këtë moment, Rashani po shkëlqen. Sulmuesi pranon se kjo është e mirë për karrierën e tij.

“Natyrisht se me yjet që janë, futbolli francez përcillet më shumë në të gjithë botën. Jam krenar të luaj në një ligë me yjet si Messi dhe të tjerët dhe të garojë me ta. Është përvojë e jashtëzakonshme si lojtar, por edhe si njeri. Mund t’iu tregojë fëmijëve për këtë eksperiencë”, ka theksuar Rashani.