Sport

Suedia pa sulmuesin Isak kundër Kosovës

Përfaqësuesja e Suedisë pritet të jetë pa dy lojtarë titullarë në ndeshjen kundër Kosovës për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Pas qendërmbrojtësit Filip Helander, është lënduar edhe sulmuesi Alexander Isak.

Isak u lëndua të dielën mbrëma në ndeshjen që Real Sociedadi e luajti pa gola kundër Sevillas në kuadër të La Ligas.

Ai u largua nga ndeshja në minutën e 38-të dhe të paktën pritet t’i mungojë Sociedadit për dy ndeshjet e ardhshme.

Dueli eliminator mes Suedisë dhe Kosovës, do të zhvillohet më 9 tetor kurse përzgjedhësi Janne Andersson do ta publikojë listën e lojtarëve të ftuar në fillim të javës së ardhshme.

Në një prononcim për mediumet suedeze, Andersson ka pranuar se gjasat janë të mëdha që sulmuesi Isak t’i mungojë Suedisë për ndeshjet e muajit të ardhshëm.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me klubin e Isakut dhe shpresoj që ai të jetë i gatshëm për ndeshjet e muajit të ardhshëm. Ende nuk e dimë periudhën e rehabilitimit të tij, por besoj që së shpejti do të njoftohemi për gjithçka. Listën e lojtarëve do ta publikojë më 28 shtator dhe deri atëherë mund të ndodhin shumë gjëra, do të shohim”, ka thënë Andersson.

Në ndeshjen e parë në Prishtinë, Suedia e ka mposhtur Kosovën 3:0 në kuadër të Grupit B kualifikues. Aktualisht, Suedia është e dyta në grup me nëntë pikë, katër më pak se Spanja që është lidere dhe ka dy ndeshje më shumë të luajtura. Ndërkohë, Kosova është e katërta me katër pikë pas pesë ndeshjeve të luajtura.