Sport

KB Prizreni: Pas sulmit në Mitrovicë, Koleviqi kërkoi ndihmë mjekësore

 

Një incident i rëndë ka ndodhur në fund të ndeshjes së Superligës së Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe skuadrës Prizreni-16. Ndeshja u luajt të dielën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

“Xehetarët” fituan ndeshjen dramatike me rezultatin 97:90, falë finishit më të suksesshëm. Por, ngjarjet vazhduan edhe pas fundit të takimit. Në parket, afër hyrjes për në zhveshtore, u krijua një tollovi ku u përfshinë lojtarë të dy skuadrave, por edhe zyrtarë klubesh dhe tifozë. Tollovia ka zgjatur për disa çaste, ndërsa klubi prizrenas ka njoftuar se është sulmuar basketbollisti i kësaj skuadre, malazezi Ivan Koleviq.