Sport

Kampionia e Kosovës në volejboll i humb dy ndeshjet në Kupën e Ballkanit

Kampionia e Kosovës në volejboll (vajzat), Drita e Gjilanit, ka regjistruar dy humbje brenda ditës në BVA Kupën e Ballkanit që po mbahet në Kushadasi të Turqisë.

Të premten paradite Drita është mposhtur nga CSO Voluntari i Rumanisë, kurse në mbrëmje nga Aydin BSBS i Turqisë. Të dyja ndeshjet, që i takuan Grupit A të kësaj gare, Drita i humbi me rezultatin 3:0 në sete.

Me këto dy humbje Drita ka përfunduar e fundit në grup dhe pritet të ketë të dielën ndeshje për plasman përfundimtar në BVA, Kupën e Ballkanit. Për Dritën kjo është hera e dytë që paraqitet në këtë garë, kurse trajneri Lorik Ilazi e ka vlerësuar shumë pozitive. Ilazi ka vlerësuar se Drita ishte e pafat në short për shkak se ishte në grup me kundërshtarë shumë të fortë.

“Dy ndeshjet tona në Kupën e Ballkanit në Grupin A i vlerësoj si shumë të rëndësishme duke pasur parasysh se ishim në një grup shumë të vështirë. Ekipi nga Rumania dhe Turqia ishin në nivel më të lartë për dallim prej grupit tjetër ku ekipet ishin më të dobëta”, është shprehur Ilazi. “Shorti bëri që dy ndeshjet t’i luajmë për një ditë dhe në fund erdhi në konsideratë edhe lodhja e ekipit. Megjithatë, për ne është e rëndësishme pjesëmarrja në këtë turne që na shërben shumë për sezonin e ri”.

Në ndeshjen e parë të këtij turneu, ndaj Voluntarit, skuadra e Dritës lojën më të mirë e shfaqi në setin e tretë, që e humbi me rezultatin 25:16. Ndërsa dy setet e para ekipi gjilanas i humbi me shifrat 25:11 dhe 25:12.

Në ndeshjen e dytë, atë ndaj skuadrës turke, Drita nuk shkoi më shumë se 14 pikë në një set. Të parin e humbi me rezultatin 25:14 për të vazhduar me 25:11 dhe 25:8.

Me gjithë humbjen trajneri Ilazi ka insistuar se këto ndeshje do ta ndihmojnë Dritën që të jetë edhe më e përgatitur për sezonin 2021/22 në Kosovë, ky synon t’i rrëmbejë të gjithë trofetë e mundshëm.

“Këto ndeshje janë të mirëseardhura para fillimit të kampionatit për shkak se do të na ndihmojnë shumë në synimet tona që i kemi në Kosovë, ku synojnë të fitojmë të gjithë trofetë e mundshëm”, ka thënë Ilazi duke shpjeguar se përse zgjodhën të luanin në Kupën Ballkanike dhe jo në CEV Challenge Cup, ku Drita ka pasur të drejtë.

“Ne kishim të drejtën të merrnim pjesë në gara edhe më prestigjioze si Challenge Cup, ku kemi mundur të paraqiteshim, por zgjodhëm të luajmë në një nivel më të ulët dhe me ekipe të barabarta me ne. Mirëpo, këtë herë shorti na vuri përballë kundërshtarë më të fortë dhe të shteteve ku volejbolli është shumë i zhvilluar”.

Fituesi i Kupës Ballkanike automatikisht kualifikohet për garën evropiane Challenge Cup. Drita duhet të presë rast tjetër për më shumë sukses.