Me Cristiano Ronaldon të kthyer në Manchester United, dështimi për të kaluar fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve për sezonin e tretë rresht është e paimagjinueshme.
Megjithatë, të njëjtat probleme u bartën nga kampanja e dështuar e sezonit të kaluar në atë që filloi keq të martën në Zvicër - gabime në mbrojtje plus gabimet në disiplinë që çuan në një karton të kuq në momentin më të papërshtatshëm për Unitedin. Edhe transferimet e reja, Ronaldo e Raphael Varane - katër herë fitues të Ligës së Kampionëve me Real Madridin - nuk arritën ta shpëtojnë ekipin e shtrenjtë dhe të mbushur me yje të Manchester Unitedit nga humbja e pashpjeguar të martën mbrëma ndaj Young Boysit, në ndeshjen e parë të Grupit F të Championsit. Kështu që, Unitedi pësoi një humbje tjetër me rezultat 2:1 nga ekipi i rangut më të ulët që e ka në grup, i cili përbëhet edhe nga Villarreali e Atalanta.
“Ndaj Young Boysit, ne e përsëritëm atë që e bëmë vitin e kaluar në Evropë dhe kjo nuk është aspak mirë”, pranoi trajneri i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, duke kujtuar dy kundërsulme të turpshme kundër Bashakshehirit që i kushtuan me humbje.
Dhe, të njëjtën gjë Unitedi e bëri edhe ndaj Young Boysit, ku e humbi ndeshjen në sekondat e fundit.
Një pasim i ngadaltë në kohën shtesë të ndeshjes nga Jesse Lingard, i cili zëvendësoi Ronaldon që e kaloi Unitedin në epërsi në pjesën e parë, i dha mundësinë sulmuesit amerikan Jordan Siebatcheu që t’ia sigurojë fitoren skuadrës së Young Boysit.
“Ky është futbolli në nivelin më të lartë të garave. Mjafton një mungesë e përqendrimit dhe ndëshkoheni në gabimin më të vogël”, tha Solskjaer.
Lideri i Premier Leagues ishte nën presion nga minuta e 35-të kur mbrojtësi Aaron Wan-Bissaka u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të pakontrolluar. Duke udhëhequr 1:0 me golin e Ronaldos në minutën e 13-të, Unitedi nuk arriti të kishte asnjë goditje në portë për pjesën tjetër të ndeshjes. Kartoni i kuq i kushtoi shumë Unitedit, sikurse edicionin e shkuar kur mesfushori Fred u përjashtua në duelin kundër Paris Saint-Germainit. Atëbotë, Unitedi e humbi ndeshjen në shtëpi 3:1 dhe nuk arriti të avancojë përtej fazës së grupeve, ndonëse ishte lider i grupit. Kjo bëri që ekipi anglez të vazhdojë garat në Ligën e Evropës ku arriti deri në finale për t’u mposhtur nga Villarreali pas penalltive.
“Të gjithë menduan se ne kishim përfunduar të parët në grup pas dy ndeshjeve që i fituam sezonin e kaluar”, ka kujtuar Solskjaer, ekipi i të cilit gjithashtu mposhti Leipzigun 5:0 tetorin e kaluar dhe më pas humbi ndeshjen vendimtare të fundit të fazës grupeve në Gjermani. “Besoj se humbja nga Young Boysi është një mësim i mirë, në mënyrë që mos të përsëritet historia”.
Historia e menaxhimit të Solksjaerit në Ligën e Kampionëve ka qenë me ngritje dhe ulje prej se ka ardhur në krye të Manchester Unitedit. Skuadra e tij ishte dy herë triumfuese në PSG - përfshirë në raundin e 1/8 së finales më 16 mars të vitit 2019 - por tani ai ka humbur shtatë nga 11 ndeshje në këtë garë.
“Ne e dimë se i kemi dhënë vetes këtë edicion një detyrë më të vështirë sesa në vitin e kaluar”, tha Solsjkaer. “Na duhen 10 apo 12 pikë për të avancuar nga grupi. Duhet patjetër t’i fitojmë ndeshjet që i luajmë në shtëpi. Kështu që, duhet të fokusohemi tërësisht në këto ndeshje”.
Dy duelet e radhës në Champions, Manchester Unitedi i luan në stadiumin “Old Trafford”. Kundërshtari i ardhshëm është Villarreali, ekip që e mposhti në finalen e Ligës së Evropës në maj të këtij viti. Ky duel luhet më 29 shtator. Kështu që, Unitedi nuk po dëshiron që edhe këtë sezon të eliminohet nga grupi i Championsit për të luajtur në Ligën e Evropës. Këtë e ka pranuar edhe Solskjaer.
“Nuk po mendojmë për një rang më të ulët”, insistoi ai.
Ronaldo kurrë nuk ka luajtur në Ligën e Evropës për Unitedin, Real Madridin apo Juventusin. Ai i ka vetëm dy paraqitje në Kupën e UEFA-s në vitin 2002 me Sportingun e Lisbonës kur ishte 17-vjeçar.
Tani me një rekord të Ligës së Kampionëve me 135 gola të shënuar dhe me rekordin që ia barazoi Iker Casillasit me 177 ndeshje, Ronaldo ka kohë ta kthejë ekipin e tij në rrugën e duhur në një garë që ndihmoi klubin ta fitojë më 2008.
“Është me fat që ishte vetëm ndeshje e parë në fazën e grupit dhe ne tani kemi më shumë kohë për t’u kthyer fuqishëm në ndeshjet tjera”, shtoi kapiteni i Unitedit, Harry Maguire.
-
Nga: Associated Press
-
15 shtator 2021 16:12
-
Shpërndaje në: