Sport

Transnistria separatiste shijon “përrallën” e Ligës së Kampionëve

Tifozët e gjigantëve të Evropës, Real Madridit dhe Interit do t'i shohin skuadrat e tyre përballë një rivali të pazakontë këtë vjeshtë - një klubi nga një rajon i vogël separatist në një nga vendet më pak të njohura të Evropës, Moldavisë.

Pas disa përpjekjeve të dështuara, Sheriff FC debuton këtë javë në Champions. Bëhet klubi i parë nga vendi ish-sovjetik që arrin fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Por suksesi historik po nxjerr në pah ndarjet, në vazhdën e një lufte të shkurtër civile pas rënies së Bashkimit Sovjetik, e cila rezultoi në krijimin e Transnistrisë. Shteti i vogël i shkëputur nga Moldavia, ka monedhën e vet, policinë kufitare, ushtrinë dhe rrjetin celular. Por nuk njihet ndërkombëtarisht, duke i lejuar Sheriffit të vazhdojë të luajë në ligën moldave.

Federata e Futbollit në Moldavi e festoi kualifikimin e Sheriffit në Champions. Shkroi “EUROFANTASTIC !!!”. Ishte një ndjenjë që bëri jehonë nga blogeri sportiv Sandu Grecu, i cili e quajti atë një “arritje të madhe për futbollin moldav”.

Megjithatë, jo të gjithë janë aq të emocionuar me pjesëmarrjen e Sheriffit në Champions, ku ndeshjen e parë e luan në shtëpi ndaj Shakhtar Donetskut.

“Unë nuk shoh shumë arsye për të qenë i lumtur”, tha gazetari sportiv Cristian Jardan. “Ekipi përfaqëson një enklavë separatiste ku korrupsioni, kontrabanda dhe marrëveshjet e ekonomisë në hije janë të shumta, të cilat dëmtojnë drejtpërdrejt buxhetin dhe interesat shtetërore të Republikës së Moldavisë”.

Prej pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve, tha ai, do të përfitojnë vetëm pronarët e Sheriffit dhe askush tjetër.

Nën hije të rivalëve

I themeluar në vitin 1997, klubi i ri me bazë në qendrën administrative të rajonit të shkëputur, Tiraspol, ka qenë në një ngritje të vazhdueshme dhe në qendër të vëmendjes. Ka fituar gjashtë tituj rresht të ligës së Moldavisë dhe 19 nga 21 të fundit.

Në një seancë stërvitore fundjavën e kaluar në “Sheriff Stadium” - ku së shpejti do të luajnë Karim Benzema dhe Lautaro Martinez - trajneri i klubit, Yuriy Vernydub ishte ende duke përpunuar kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

“Sinqerisht nuk e prisja”, tha 55-vjeçari ukrainas. “Është një përrallë”.

Ai pranoi se kishte ngjyrime politike për momentin, por ishte optimist për mundësinë që e ka klubi me paraqitje në Champions.

“Njerëzit thonë se sporti nuk është politikë”, tha ai. “Mirëpo sporti është politikë”.

Ndeshjet e Championsit, tha ai me optimizëm, “ndoshta do të bashkojnë tifozët në Moldavi dhe Transnistri”.

Që nga viti 2009, skuadra ka luajtur katër herë në garën e nivelit të dytë të Evropës, Ligën e Evropës, dhe dy herë është eliminuar në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Këtë vit Sherifi fitoi një vend të dëshiruar në fazën e grupeve të Championsit dhe rreth 16 milionë euro të garantuara nga UEFA. Është një shumë domethënëse për një skuadër, vlera e së cilës në total është 12 milionë euro dhe është autsajderja e Grupit D të Ligës së Kampionëve. Faqja e internetit e specializuar për transferime “Transfermarkt” vlerëson se Real Madridi mburret me një ekip me vlerë prej 780 milionë eurosh, lojtarët e Interit vlerësohen në 575 milionë euro dhe 180 milionë euro ata të Shakhtar Donetskut.

Në stërvitjen e fundit skuadra nuk ishte e fokusuar në duelin e së mërkurës ndaj Shakhtarit, por gjithë vëmendjen e kishte te përballja me Real Madridin, më vonë këtë muaj. Mesfushori ganez Edmund Addo bërtiste: “Benzema! Benzema!” teksa e dribloi mbrojtësin brazilian Cristiano da Silva Leite, duke iu referuar sulmuesit francez dhe superyllit të Realit.

Këta dy futbollistë janë pjesë e një formacioni shumëkombësh të Sheriffit. Në ndeshjen e vikendit të shkuar në kuadër të kampionatit, Sheriffi në përbërjen e parë pati tre brazilianë, dy grekë, dy kolumbianë, një peruan, një guineas, një ganez, një luksemburgas dhe asnjë moldav. Lojtarët bëjnë kërkimet e tyre para se të pranojnë t’i bashkohen Sheriffit dhe të vijnë në shtetin pak të njohur prorus që është i shkëputur.

Politika e pashmangshme

Gustavo Dulanto, një mbrojtës 26-vjeçar nga Peruja, i dërgoi mesazh kapitenit të skuadrës Frank Castenadas në Instagram dhe shkroi në “Google” emrin e ekipit – Sheriff - para se të shkonte në një copë toke separatiste që është një e pesta e madhësisë së Uellsit. Megjithatë, politika është e pashmangshme. Klubi është në pronësi të industrisë “Sheriff” që ka një monopol ekonomik dhe politik në Transnistri.

E themeluar nga dy policë sovjetikë, kompania është e mbuluar me akuza për korrupsion. Në Tiraspol, një qytet me rreth 130.000 njerëz, logoja e Sherifit është kudo: në supermarkete, pika karburanti, madje edhe në kazino. Një nga bashkëthemeluesit e kompanisë, Viktor Gushan është presidenti i klubit. Ai ka ndërtuar një kompleks të gjerë që përmban një stadium me 13.000 mijë ulëse, një stadium të dytë me 9.000 ulëse, një arenë të brendshme, 16 fusha stërvitore, fusha tenisi dhe një pishinë të brendshme. Serghei Pascenco, një portier 38-vjeçar rezervë i lindur në Tiraspol, që ka qenë me klubin që nga fëmijëria, tha se Liga e Kampionëve ishte gjithmonë “ëndrra e presidentit tonë”.

Një mbështetës i vjetër i klubit, Igor Troshchinsky, beson se investimet e Gushanit ndihmuan në vendosjen e Transnistrisë në hartë.

“Edhe më shumë njerëz do të zbulojnë se ekziston ky vend i panjohur”, thotë 61-vjeçari për kualifikimin e Sheriffit në Champions.

Por Troshchinsky ishte skeptik sa i përket gjasave të ekipit të tij të zemrës në garën elitare të Evropës.

“Ne po punojmë për 20 vjetët e ardhshëm dhe ndoshta pas dhjetë vjetësh do të arrijmë ta kalojmë me sukses fazën e grupeve. Por, këtë edicion është vështirë të presim diçka prej ekipit”, tha ai.