Vinicius Junior po ndihmon shpejt që adhuruesit e Real Madridit ta harrojnë Kylian Mbapen. Tifozët e Madridit ishin të frustruar me negociatat e dështuara të klubit për të sjellë Mbapen në afatin kalimtar të verës që u mbyll muajin e shkuar, por pas disa ndeshjeve në sezonin e ri, ata kanë kuptuar se mund të mbështeten te braziliani Vinicius Junior. Tifozët kanë përqafuar Viniciusin Junior, dhe këtë e konfirmuan të dielën mbrëma kur braziliani i ri u hodh në tribuna për të festuar me turmën pasi shënoi gol në fitoren 5:2 ndaj Celta Vigos në ligën spanjolle në rihapjen e stadiumit “Santiago Bernabeu” pas më shumë se 18 muajsh. Vinicius Junior u përfshi nga tifozët, të cilët e përqafuan me bollëk para administratorëve dhe oficerët e policisë e ndihmuan atë të kthehej në fushë. Vizita në tribuna i dha atij një karton të verdhë, por ishte një goditje e madhe për tifozët që nuk kishin qenë në “Santiago Bernabeu” që kur u mbyll për shkak të pandemisë dhe një projekti masiv të rinovimit.
“Vini është i veçantë”, tha sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, i cili shënoi “hat-trick” të dielën. “Ai është i ri dhe më pëlqen shumë të luaj me të. Ai ka treguar se është i denjë të luajë me këtë ekip”.
21-vjeçari Vinicius ka pasur një fillim të shkëlqyer këtë sezon, duke shënuar katër gola në katër ndeshjet e para dhe duke qenë një pjesë vendimtare e sulmit të Realit përkrah Benzemas. Braziliani ishte kritikuar shpesh për mungesën e golave të tij, por është përmirësuar qartë, duke u bërë një kërcënim edhe më i madh për kundërshtarët, pasi ai vazhdon të ketë paraqitje fantastike. Për këtë, Vinicus është përgëzuar edhe nga trajneri i Real Madridit, italiani Carlo Ancelotti.
“Ai ka luajtur shumë mirë”, pranoi Ancelotti. “Ai është në një nivel shumë të lartë tani. Cilësia e tij është mbresëlënëse. Ai ka qenë shumë mirë në fillim të sezonit dhe duhet të vazhdojë me këtë ritëm. Ai është plot vetëbesim dhe është shumë i qetë para golit”.
Real Madridi ka kohë që po e kërkon francezin Mbappe për të forcuar sulmin, por nuk arriti marrëveshje me Paris Saint-Germainin muajin e kaluar, pavarësisht së bëri një ofertë që thuhet se tejkaloi 200 milionë euro. Klubi spanjoll do të duhet të presë deri në sezonin e ardhshëm për të provuar të sjellë sulmuesin francez, i cili më pas do të jetë një lojtar i lirë pasi i skadon kontrata me PSG-në.
Ancelotti është më se i kënaqur me Viniciusin dhe sulmin e Real Madridit tani për tani, me skuadrën e tij që ka shënuar 13 gola në katër ndeshje, më së shumti në ligën spanjolle deri më tani. Por mbrojtja, pa kapitenin veteran Sergio Ramos, ka luftuar, duke pranuar gjashtë gola tashmë. Reali në ndeshjen ndaj Celtas ishte dy herë në disavantazh dhe ia doli ta mposht në fund.
“Ne nuk ishim aq të fortë në organizimin tonë mbrojtëse dhe duhet të përmirësohemi në atë repart”, tha Ancelotti.
Madridi, i cili sezonin e shkuar nuk e fitoi titullin e kampionit të La Ligas me trajnerin Zinedine Zidani, tashmë e ka kthyer fokusin në Ligën e Kampionëve dhe ndeshjen në udhëtim kundër kampionit në fuqi të Italisë, Interit. Ky duel luhet të mërkurën dhe i takon Grupit D. Ndeshjen tjetër në kuadër të La Ligas, Reali e luan ndaj Valencias të dielën. Pas katër xhirove të luajtura deri më tani në kampionatin spanjoll me dhjetë pikë të tubuara, sa i kanë edhe Valencia e kampioni në fuqi i Spanjës, Atletico Madridi.