Sport

Suedia tërhiqet nga kampi stërvitor në Katar për shkak të të drejtave të punëtorëve

Federata e Futbollit të Suedisë (SVFF), njoftoi të mërkurën se ka hequr plotësisht dorë nga kampi stërvitor i janarit në Katar për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e punëtorëve emigrantë të përfshirë në përgatitjet për Kampionatin Botëror të vitit 2022. Vendimi për t'u tërhequr nga kampi stërvitor, erdhi pas diskutimeve ndërmjet Federatës dhe institucioneve të tjera të Suedisë. Ata insistuan se ky është një vendim i përbashkët. Në fakt, Federata ka paralajmëruar se po shqyrton mundësinë për ta mbajtur këtë kamp në një shtet tjetër.

“Është e qartë se ekziston një konsensus midis klubeve kundër organizimit të këtij kampi në Katar gjatë muajit janar të vitit të ardhshëm”, tha presidenti i Federatës suedeze, Hakan Sjostrand të mërkurën. “Kampi i janarit është shumë i rëndësishëm për ne në aspektin sportiv dhe po punojmë për t’u siguruar që ai mund të zhvillohet në një vend tjetër vitin e ardhshëm”.

Suedia dhe vendet tjera nordike kanë qenë në krye të një fushate për të ushtruar presion mbi FIFA-n për të siguruar kushte më të mira për punëtorët emigrantë në Katar. Robert Falck, president i gjigantit të Suedisë, AIK Stokholmit, e kishte etiketuar udhëtimin e propozuar për kampin stërvitor në janar si tërësisht të panevojshëm dhe të pamatur pas gjithë asaj fushate që Suedia e kishte bërë për t’i përmirësuar kushtet e punëtorëve në Katar. Ndërsa po afrohet shfaqja globale e vitit të ardhshëm të futbollit, Katari ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes për çështjet e mirëqenies së punëtorëve, përfshirë përqindjen e vdekjeve, duke nxitur protesta nga përfaqësueset evropiane, përfshirë edhe Gjermaninë. Në fund të gushtit, “Amnesty International” i bëri thirrje Katarit të bëjë më shumë për të hetuar vdekjet e punëtorëve, duke pretenduar se një varg vdekjesh të punëtorëve kishin qenë të pashpjegueshme. Ishte ky raport që nxiti kreun e Federatës suedeze, Sjostrand, dhe shokët e tij, krerët e federatave të vendeve nordike të dërgonin një letër në FIFA më 1 shtator për të “bërë presion të vazhdueshëm mbi udhëheqësit e Katarit”.

Norvegjia, madje, kishte kërcënuar se do të bojkotonte tërësisht Botërorin për këtë çështje, por në një kongres të jashtëzakonshëm në muajin qershor, Federata norvegjeze e hodhi poshtë këtë opsion.