Sport

Ronaldo nuk e ka ndërmend të ndalet së shënuari edhe pas thyerjes së rekordit

Descriptive Text

Cristiano Ronaldo sinjalizoi synimin e tij për të vazhduar të luajë për Portugalinë edhe për “vitet në vazhdim” pasi theu rekordin e të gjitha kohërave për më së shumti gola të shënuar me përfaqësueses, i cili mbahej nga iraniani Ali Daei që kishte realizuar 109 gola. Sulmuesi i Manchester Unitedit shënoi dy herë në minutat e fundit të ndeshjes eliminatore për Kampionatin Botëror “Katari 2022” kundër Irlandës, për t’ia siguruar fitoren Portugalisë me rezultatin 2:1. Me golat e shënuar Ronaldo arriti në kuotën e 11 golave për t’u bërë rekordmen i ri. Ronaldo, i cili është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve dhe shënuesi kryesor në historinë e Real Madridit, e udhëhoqi vendin e tij në triumfin e vetëm të madh, titullin e kampionit të Evropës në vitin 2016. 36-vjeçari foli për krenarinë e tij pas arritjes së tij të fundit, rekordit të golave në nivel përfaqësuesesh.

“Nga të gjitha rekordet që kam thyer gjatë karrierës sime - dhe për fat ka pasur disa - ky është shumë i veçantë për mua dhe është sigurisht në raftin e arritjeve që më bëjnë vërtet krenar për karrierën time”, shkroi Ronaldo në “Instagram”. “Të shënosh 111 gola për Portugalinë do të thotë 111 momente si ato që përjetuam në Algarve, momente të bashkimit në mbarë botën dhe lumturi për miliona e miliona qytetarë portugezë në të gjithë globin. Për ta, çdo sakrificë ia vlen”.

Ronaldo u bë lojtari i parë që luajti në pesë kampionate evropiane me paraqitjen e tij këtë vit në “Euro 2020”, duke fituar “Këpucën e Artë”, si shënuesi më i mirë me pesë gola të shënuar në këtë turne.

Dhe ai mund të barazojë rekordin sa u përket paraqitjeve në Kampionatet Botëror. Në rast se Portugalia kualifikohet për Botërorin që vitin tjetër mbahet në Katar, atëherë Ronaldo do të paraqitet për herën e pestë në këtë turne të madh. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, i cili siguroi një kthim te Manchester Unitedi nga Juventusi këtë javë, la të kuptohet se ai nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar në të ardhmen e afërt. Në fakt ai bëri të ditur se synon ende rekorde të reja.

“Faleminderit Portugali! Faleminderit të gjithë shokëve dhe kundërshtarëve të mi që e bënë këtë udhëtim kaq të paharrueshëm!”, shtoi ai. “Le të vazhdojmë të takohemi brenda fushës në vitet në vijim. Unë nuk e mbyll numrin e llogarisë ende”.

Portugalia do të përballet me Katarin të shtunën në një ndeshje miqësore para se të udhëtojë për në Azerbajxhan më 7 shtator, të përballet në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Katari 2022”.

Falë golave të Ronaldos në Algarve ndaj Irlandës, ekipi i drejtuar nga përzgjedhësi Fernando Santos kryeson në Grupin A kualifikues, me dhjetë pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve të luajtura deri më tani. Sulmuesi 36-vjeçar, që edhe është kapiten i Portugalisë, ka 180 paraqitje për shtetin e tij. Ai me fanellën e Portugalisë debutoi në vitin 2003.