Sport

Klubet angleze “njollosin” kualifikimet e Botërorit në Amerikën e Jugut

Descriptive Text

Kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022” në Amerikën e Jugut janë “njollosur” nga refuzimi i klubeve kryesore të Premier Leagues për të liruar lojtarët kryesorë për shkak të rregullave të karantinimit, ka thënë qendërmbrojtësi i Uruguait, Diego Godin.

Tashmë pa Luis Suarezin e dëmtuar, Uruguai në kualifikimet e këtij muaji do të jetë edhe pa sulmuesin tjetër, Edinson Cavanin, e Manchester Unitedit. Gjigantët e Premier Leagues së bashku me Manchester Cityn, Liverpoolin dhe Chelsean kanë refuzuar të lejojnë një mori lojtarësh të bashkohen me ekipet e tyre kombëtare, sepse ata do të luajnë ndeshje në vendet e listës së kuqe të Britanisë, që do të thotë se do të duhet të karantinohen për dhjetë ditë pas kthimit në Angli. Kjo do t'i detyrojë ata të humbasin dy ndeshje të ligës, si dhe një ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Në përplasjen klasike mes klubeve dhe shteteve janë përfaqësueset që kanë humbur, më së shumti Brazili, që duhet të luajë pa nëntë lojtarë të thirrur fillimisht nga përzgjedhësi Tite.

“E tëra që do të them është e vërteta se konkurrenca është prishur nga ajo që ndodhi”, tha Godin kur mbërriti në Uruguai nga klubi i tij nga Serie A, Cagliari. “Nuk është normale që ekipet kombëtare nuk mund të mbështeten tek lojtarët që trajnerët duan të zgjedhin. Në rastin tonë ne jemi pa Cavanin dhe nuk është normale që lojtarët të pyesin nëse do të vijnë apo jo, sepse kanë ngecur në mes”.

Është një goditje e fortë për Uruguain në një garë kualifikimi të fortë, me tetë skuadra nga Ekuadori i vendit të tretë deri te Peruja, të ndara me vetëm pesë pikë. Uruguai udhëton për në Peru të enjten para se ta presë Bolivinë dhe Ekuadorin.

Në një moment dukej sikur rreth 30 lojtarë do të ishin të padisponueshëm pasi ligat spanjolle, italiane dhe portugeze iu bashkuan homologëve të tyre anglezë duke thënë se do të mbështesnin klubet që parandalojnë lojtarët e tyre të udhëtojnë. Por ato liga u tërhoqën për shkak të rregullave të ndryshme të karantinës që nënkuptonin se lojtarët me qendër në Spanjë, Itali ose Portugali mund të mos humbnin asnjë lojë për klubet e tyre. Vendi më i goditur deri më tani nga vendimi për të mos lejuar lojtarët të udhëtojnë është Brazili, që nuk do t’i ketë në dispozicion lojtarët si Thiago Silva (Chelsea), treshen e Liverpoolit - Alisson, Roberto Firmino, Fabinho dhe dyshen e Manchester Cityt, Gabriel Jesusin dhe Fredin.

Megjithatë, Brazili ka lojtarë të mjaftueshëm dhe synon të vazhdojë formën e mirë që e ka treguar në këto eliminatore. Ka shënuar gjashtë fitore në po aq ndeshje, dhe zë vendin e parë në tabelë me gjashtë pikë më shumë se vendi i dytë. Shumica e ekspertëve mendojnë se rezervat e Brazilit mund të kualifikohen nga grupi gjithsesi, por ata nuk duan të humbasin nga rivali i madh, Argjentina, në asnjë rrethanë. Ky duel do të zhvillohet në Sao Paulo. Kili, i cili pret Brazilin të enjten, është pala tjetër që do të ketë mungesë të lojtarëve, me Francisco Sierraltan e Watfordit dhe Ben Breretonin e Blackburnit. Brereton i lindur në Angli, i cili luan për Kilin përmes nënës së tij, do të jetë mungesë e madhe.

Ai luajti në të pesë ndeshjet e turneut të Kilit dhe shënoi golin e fitores kundër Bolivisë. Në ndeshjet e tjera të enjten, Argjentina e vendit të dytë udhëton për në Venezuelë, ndërsa Ekuadori pret Paraguain dhe Bolivia luan me Kolumbinë.