Sport

Thaqi nuk është i befasuar me startin e mirë të Malishevës

Descriptive Text

Malisheva është lidere e Superligës së Kosovës në futboll pas vetëm dy xhirove të luajtura në sezonin 2021/2022. Ekipi që po garon për herë të parë në elitën e futbollit kosovar ka arritur një fitore dhe një barazim. Me katër pikë renditet në vendin e parë, por me pikë të njëjta me Ballkanin, Dritën dhe Gjilanin. Në ndeshjen e parë Malisheva barazoi 1:1 me kampionen në fuqi, Prishtinën, kurse në të dytën e mposhti Ulpianën në udhëtim me shifrat 3:1. Me fillimin e mbarë të Malishevës nuk është aspak i befasuar trajneri Arsim Thaqi. Pikërisht Thaqi e mori drejtimin e malishevasve në janar të këtij viti dhe e udhëhoqi ekipin drejt promovimit në Superligë. Ai ka thënë për KOHËN se me pak fat kanë mundur t’i kenë dy fitore në po aq ndeshje deri më tani. Thaqi konfirmoi se Malisheva e ka marrë me seriozitet të madh Superligën dhe kjo do të shihet në vazhdim të kampionatit.

“Për mua nuk është befasi starti i mirë me Malishevën, sepse kemi bërë një fazë mjaft të mirë të përgatitjeve para fillimit të edicionit të ri. Fillimin e kampionatit kuptohet që e vlerësoj shumë, sidomos ndeshjen me Prishtinën që realisht është dashur ta fitonim, por ky është futbolli. Ndeshja me Ulpianën ka qenë e rëndësishme, duke e ditur që në këtë vit jemi promovuar në Superligë, të dy skuadrat. Pikët e fituara i kemi vlerësuar shumë pasi kanë rëndësi për vazhdim të mbarë kampionatit. Kuptohet që Malisheva e ka shumë seriozisht. Forca e Malishevës do të shihet prej ndeshjes në ndeshje”, u shpreh Thaqi.

Thaqi, që vjen pikërisht nga rrethi i Malishevës, zbulon se edhe në klubet e tjera që ka punuar, fillimet i ka pasur shumë të suksesshme. Ai ka drejtuar në Superligë skuadrat si Prishtinën, Flamurtarin dhe Trepçën ’89. Madje me Prishtinën, Thaqi në 11 ndeshjet e para të tij si trajner, ka regjistruar dhjetë fitore. E dhjetë fitore i kishte edhe me Trepçën ’89.

“Në klubet ku kam qenë viteve të fundit kuptohet që kam pasur ecuri pozitive të rezultateve. Nëse i analizojmë vetëm tri skuadrat e fundit ku kam punuar, Prishtinën, Flamurtarin dhe Malishevën në sezonin e kaluar, kam pasur rezultate të jashtëzakonshme. Me të gjitha ekipet startet i kam pasur pozitive. Me Prishtinën në 11 ndeshjet e fundit të sezonet kur edhe jam angazhuar si trajner, i kam pasur dhjetë fitore dhe vetëm një humbje. Me Flamurtarin kam pasur po ashtu rezultate pozitive dhe kemi përfunduar në mesin e tabelës, kurse me Malishevën gjatë gjithë sezonit ku edhe jemi shpallur kampion e kam pasur vetëm një humbje. Start të mirë kam pasur edhe me Trepçën ’89, ku kam pasur rreth dhjetë fitore”, u shpreh ai.

I pari i shtabit teknik të Malishevës pohon se pauza prej dy javësh që do ta kenë të gjitha skuadrat e Superligës për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, nuk do të jetë pozitive për ekipin që ai drejton. Sipas Thaqit, kundërshtarit të radhës të Malishevës, Dritës, do t’i shërbejë pauza më shumë sesa skuadrës së tij.

“Mendoj se kjo pauzë më shumë i konvenon Dritës si kundërshtar i radhës, sepse Drita ka luajtur në garat evropiane dhe kjo do të shërbejë për ta që ta kthejnë freskinë, kurse neve na penalizon në ecurinë që patëm në dy ndeshjet e para. Sido që të jetë, ne luajmë në Malishevë dhe normal që kërkojmë rezultat pozitiv”, tha Thaqi.

Nga katër golat që ka shënuar Malisheva në dy ndeshjet e para të sezonit të ri në Superligë, tri prej tyre i ka realizuar sulmuesi Hasan Hyseni. Ai shënoi një gol kundër Prishtinës në barazimin 1:1 dhe dy në fitoren kundër Ulpianës si mysafir 3:1.

Trajneri Thaqi, i cili e solli në Malishevë sulmuesin nga Mitrovica, thotë se Hyseni është lojtar i jashtëzakonshëm.

“Hasan Hyseni është një lojtar i dëshmuar në futbollin e Kosovës. Është lojtar i jashtëzakonshëm. Këtë vit është duke i treguar vlerat e tij te Malisheva”, përfundoi Thaqi.

Në ndeshjen e xhiros së tretë Malisheva do të jetë nikoqire e Dritës në stadiumin “Liman Gegaj”. Malisheva së bashku me Ballkanin janë dy ekipet e vetme të Superligës që kanë fusha me bar artificial. Në sezonin e kaluar malishevasit ishin pjesë e Ligës së Parë, Grupi A, ku përfunduan në vendin e parë. Titulli i kampionit i Ligës së Parë ia siguroi inkuadrimin në Superligë, për herë të parë në histori të klubit. Si klub, Malisheva është themeluar në vitin 2016 dhe brenda katër vjetësh ka arritur që të bëhet pjesë e elitës së futbollit kosovar.