Sport

Argjentina thërret Messin për ndeshjen kualifikuese ndaj Brazilit të Neymarit

Descriptive Text

Buenos Aires, 23 gusht – Ylli i futbollit, Lionel Messi, u ftua të hënën nga Përfaqësuesja e Argjentinës për t’u përballur me shokun e tij të ri të Paris Saint-Germainit, Neymarin, dhe Brazilin, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, që do të luhet muajin e ardhshëm. Ndeshja e fortë ndërmjet Brazilit dhe Argjentinës do të luhet më datën 5 shtator dhe do të shënojë herën e parë që të dy ikonat të përballen me njëri-tjetrin si shokë skuadre te PSG-ja. Kjo ndeshje do të vijë më pak se dy muaj pasi Messi e frymëzoi Argjentinën në fitoren 1:0 ndaj Brazilit në finalen e Kupës së Amerikës. Takimi i shumëpritur zhvillohet mes dy ndeshjeve të tjera kualifikuese të Kupës së Botës, me Argjentinën që luan me Venezuelën më 2 shtator dhe Bolivinë një javë më vonë. Brazili kryeson grupin kualifikues të CONMEBOL-it, me 18 pikë nga gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani, ndërsa Argjentina është e dyta me 12 pikë të mbledhura dhe gjithashtu e pamposhtur. Messi fitoi trofeun e tij të parë ndërkombëtar në korrik pasi ndihmoi Argjentinën t'i japë fund pritjes 27-vjeçare për trofeun e madh, duke e mposhtur Brazilin në stadiumin “Maracana” në Rio de Janeiro. Lojtarët e dy vendeve, Messi dhe Neymar, ende nuk kanë luajtur përkrah njëri-tjetrit te PSG-ja këtë sezon. Pas më shumë se dy dekadash duke luajtur për Barcelonën, Messi pritet të bëjë debutimin e tij te PSG-ja këtë fundjavë, në ndeshjen në udhëtim kundër Reimsit, që i takon xhiros së katërt të Ligue 1.

“Po shpresoj që Messi të jetë pjesë e ekipit këtë javë, nëse gjërat shkojnë mirë. Ai mund të jetë pjesë e grupit dhe të luajë për ekipin”, ka pranuar trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Argjentinës , Lionel Scaloni, nuk bëri asnjë surprizë në skuadrën e tij për ndeshjet e muajit shtator. Ai në sulm mbështetet te Lautaro Martinezi i Interit dhe Paulo Dybala i Juventusit, që mbeten opsionet e fuqishme në repartin e sulmit. Ndërsa, transferimi më i ri i Barcelonës, Sergio Aguero, mungon për shkak të lëndimit. Dy lojtarë të tjerë të PSG-së, Angel Di Maria, i cili shënoi golin e fitores në finalen e Kupës së Amerikës, dhe Leandro Paredes janë përfshirë gjithashtu në skuadër. Ndërkohë, te Brazili që ende nuk e ka publikuar listën, pritet që krahas Neymarit, të ftohet edhe qendërmbrojtësi Marquinhos.