Sport

Mbrojtja e Lillet, që ishte më e mira në Francë, shndërrohet në më të dobëtën

Prej mbrojtjes më të mirë dhe portës më të paprekur në ligën franceze sezonin e shkuar, Lille këtë edicion po pranon gola me një lehtësi alarmante. Lille pranoi 23 gola në 38 ndeshje sezonin e kaluar, por ka pranuar shtatë në vetëm dy ndeshje këtë sezon duke barazuar 3:3 në Metz dhe duke pësuar humbje të thellë 4:0 në shtëpi nga Nice, ndeshje në të cilën goli i parë u shënua pas vetëm 55 sekondave lojë. Trajneri i ri i Nicet nuk ishte askush tjetër përveç Christophe Galtier, i cili e udhëhoqi Lillen drejt titullit të kampionit sezonin e shkuar, me 21 ndeshje pa pranuar gol dhe vetëm tri humbje në Ligue 1. Trajneri i Lillet, Jocelyn Gourvennec, ka shumë gjëra për të zgjidhur para udhëtimit të së shtunës për t'u përballur me Saint-Etiennen, i udhëhequr nga ish-shefi i Lillet, Claude Puel.

“Ne duhet të reagojmë sa më shpejt”, tha Gourvennec. “Shtatë gola në dy ndeshje për një skuadër që ka pësuar vetëm 23 sezonin e shkuar, janë shumë. Ne duhet t’u kërkojmë falje tifozëve tanë”.

Presidenti i klubit, Olivier Letang, bëri pikërisht atë, duke postuar një mesazh për mbështetësit e Lillet në “Twitter”.

“Para së gjithash, ne jemi të zhgënjyer dhe iu kërkojmë falje. Ne padyshim duhet të përmirësohemi, sepse tifozët tanë nuk e meritojnë këtë”, ishte postimi i tij.

Për t'i bërë gjërat më të vështira për trajnerin Gourvennec, ai do të jetë pa mesfushorin Renato Sanches për gjashtë javë. Reprezentuesi portugez u operua të hënën në gjurin e djathtë. Të paktën kjo do të thotë që Sanches, i cili luajti mirë për Portugalinë në Kampionatin Evropian, nuk do të shitet gjatë afatit kalimtar të verës. Lille humbi trajnerin Galtier dhe shiti portierin Mike Maignan te Milani për 15 milionë euro gjatë verës. Edhe pa Maignan, Lille ka pothuajse të njëjtën mbrojtje që bazohet në partneritetin e portugezit Jose Fonte dhe holandezit Sven Botman, të cilët ishin të shkëlqyer sezonin e kaluar. Por zëvendësuesi i Maignanit, Leo Jardim, ende nuk po i njeh mirë ata dhe nuk e ka praninë komanduese në zonën e penalltisë. Ndërsa Jardim ka treguar aftësinë e tij për t’i ndalur goditjet në dy ndeshjet e para, ai është dukur i pambrojtur nga harkimet. Të enjten, Lille e huazoi portierin kroat Ivo Grbiq nga Atletico Madridi me opsionin e blerjes. Stabiliteti mbrojtës i Lillet sezonin e kaluar nuk ishte vetëm për shkak të katër mbrojtësve. Aty ishte edhe forca e mesfushës, ku Benjamin Andre dhe Boubakary Soumare të fortë fizikisht, siguruan mbrojtje ideale. Transferimi i 22-vjeçarit Soumare në Leicester në Premier League për 20 milionë euro ishte një tjetër humbje e rëndësishme dhe kjo ka ndikuar në paraqitjet e Benjaminit këtë edicion te skuadra franceze. Aktualisht, Lille zë pozitën e 18-të në Ligue 1, me vetëm një pikë pas dy xhirove të para.

“Jam optimist se do të mund të kthehemi pas startit të dobët. Besoj në këtë ekip dhe lojtarët aktualë”, porositi trajneri Gouvernnec.