Sport

Avdijaj i vendosur për të dëshmuar se mund të luajë në Gjermani

Sulmuesi Donis Avdijaj është kthyer në Gjermani. 24-vjeçari kishte shpresuar për një qëndrim më të gjatë te skuadra e AEL Limassolit, por pas gjashtë muajsh të dyja palët ndanë rrugët për shkak të problemeve financiare të qipriotëve.

“Sigurisht, shumë njerëz gjithmonë pyesin se çfarë ka ndodhur me të gjitha skuadrat në dy vjetët e fundit”, thotë Avdijaj të enjten në një intervistë për uebfaqen “Transfermarkt”. “Jo gjithmonë, lojtari duhet ta ketë fajin patjetër”.

Pas shkëputjes së kontratës me ekipin nga Holanda, Willem II në pranverën e vitit 2019, ish-talenti kryesor i Schalkes - i cili vendosi rekord në Bundesligën U-17 në vitin 2013 me 44 gola të shënuar - ishte pa klub për herë të parë. Kjo u pasua me nga gjashtë muaj te Trabzonspori i Turqisë dhe Heartsi i Skocisë. “Unë isha duke kërkuar për një platformë, për një ekip, për të prezantuar veten”, kujton Avdijaj. “Nuk kisha fat dhe bëra disa gabime në vendimet që i mora”.

Titullar i rregullt te Trabzonspori, Avdijaj u largua nga klubi elitar i Turqisë për t’u bashkuar me trajnerin Daniel Stendel në Skoci. Ai e pa Heartsin “si një skenë perfekt për të shpërthyer”, thotë Avdijaj, por pandemia e koronavirusit ia prishi të gjitha planet që i kishte me këtë ekip. Sezoni u anulua dhe klubi ra nga Premier League e Skocisë. Pa kontratë për divizionin e dytë skocez, Avdijaj ishte përsëri pa klub dhe pa këshilltar në kërkim të një klubi të ri. Nëntorin e kaluar, Avdijaj më në fund u kthye në Eredivisie të Holandës dhe luajti për Emmenin, ekip që nuk është larg qytetit të tij të lindjes, Osnabruckut, por ishte në fund të tabelës.

“Ky ishte një vendim i mirë për momentin”, thotë sulmuesi, i cili nënshkroi një kontratë me pagë të ulët. “Por, ne gjithashtu kishim një marrëveshje që nëse më vinte një ofertë më e mirë, ku mund të planifikoja kthimin tim në skenën e madhe, atëherë mund të largohesha nga Emmeni”.

Kjo ofertë erdhi në muajin janar nga AEL Limassoli, i cili i ofroi Avdijajt kontratë deri në vitin 2022, me opsion edhe për një vit tjetër, dhe po luftonte për titullin e kampionit në Qipro.

“Në atë moment, i thashë vetes se kjo ishte një mundësi fantastike pasi do të kisha më shumë kohë për të luajtur, si dhe mund të bija në sy për të tërhequr interesimin nga skuadrat e tjera të mëdha. Më në fund, e gjeta një adresë për të qëndruar më gjatë dhe kisha synime të mëdha”, thotë Avdijaj, i cili shpjegon lëvizjen e shpejtë nga Emmeni tek AEL Limmasoli.

Mirëpo, pas disa javësh, ai e gjeti veten në situatë të vështirë dhe mënjanë.

“Si lojtar, unë jam gjithashtu i pafuqishëm kur klubi ka probleme financiare dhe nuk mund të paguajë futbollistët për shkak se dëshiron të bëjë kursime në paga”, shpjegoi Avdijaj, i cili ishte i shtrenjtë si titullarët e tjerë në ekip. “Thjesht, klubi nuk mund të përballonte aq shumë shpenzime në paga. Kjo është arsyeja pse nuk luaja, gjë që nuk e doja aspak. Isha i detyruar të ulesha në bankën e rezervistëve në agoni”.

Prandaj, në verë ai u përball me situatën dhe të vërtetën. Krerët i shpjeguan atij arsyen dhe problemet financiare, gjë që dërgoi në shkëputjen e kontratës me marrëveshje të dyanshme.

“Për shkak të problemeve financiare, klubi nuk mund të më përballonte dhe së bashku u dakorduam që t’i ndajmë rrugët”, tha Avdijaj.

Për Avdijajn, plani i një angazhimi afatgjatë përfundoi pas një kohe shumë të shkurtër.

“Meqenëse unë nuk jam tip i parave gjithsesi, i ofrova ndihmën time klubit dhe thashë që natyrisht do të shikoja nëse do të gjeja diçka tjetër”, tha Avdijaj, i cili nuk mori rrogë për disa muaj dhe thotë se largimi nga Qipro mund të keqkuptohet nga të tjerët. “Kjo natyrisht më vë në një situatë të keqe, sepse shumë njerëz mund ta shohin atë si të gabuar dhe të më shohin mua si një burim trazirash në këtë çështje”.

Kërkon vetëm një mundësi

Pas disa arratisjeve dhe hapave të gabuar në moshë të re, Avdijaj ende ka një imazh përkatës në Gjermani. Ai thotë se nuk është ashtu siç e paragjykojnë të tjerët.

“Kur isha disa vjet më i ri, me të vërtetë më ndikoi emocionalisht”, thotë ai. “Shumica e njerëzve që kanë këtë përshtypje nuk më njohin mua personalisht. Për mua, kjo është akoma gjëja e bezdisshme”.

Pas periudhës së kaluar jashtë vendit, Avdijaj tani do të donte të bënte një përpjekje të re në Gjermani dhe të tregonte se është pjekur si lojtar dhe personalitet. Ai insiston se është i gatshëm për t’iu dëshmuar të gjithëve se mund të luajë në Gjermani. Madje, thotë se tashmë ka një agjent të ri.

“Vetëm një gjë është e rëndësishme për mua: dashuria për futbollin. Unë e di se çfarë mund të bëj, jam në top formë. Falë menaxhimit tim të ri, më ofrohet një strukturë që jo vetëm që kujdeset për mua, por gjithashtu më udhëheq në mënyrë perfekte në zhvillimin tim. Unë jam shumë mirënjohës për këtë. Qëllimi im është të jem në Gjermani ose aty pranë. Sigurisht që dua të jap gjithçka për këtë”, shprehet Avdijaj që dëshiron t’i lërë pas vetes vitet e fundit edhe pse e di se e kaluara nuk ishte gjithmonë e bukur.

“Kam punuar jashtëzakonisht shumë gjatë muajve të fundit dhe dua të tregoj se mund të arrij diçka edhe këtu, nga ku kam filluar”.

Kontaktet e para tashmë janë bërë, por klubi i duhur ende nuk është gjetur. Ai thotë se vetëm një gjë është e rëndësishme për të, në ekipin e ri. Sipas tij, dëshira është që të jetë pjesë e një ekipi që luan futboll sulmues.

“Që të mund të prezantohem dhe të tregohem. Dua ta kthej besimin që të mund të ringjall gëzimin e lojës sime të futbollit te njerëzit e tjerë. Unë besoj se një klubi që luan lojë sulmues, mund t’i shtoj shumë cilësi dhe ta ndihmoj. Për mua ka të bëjë me të luajturit futboll dhe më e rëndësishmja, me besimin”.

Aspekti financiar nuk luan një rol të madh për të, pasi Avdijaj thotë se gjithçka ka të bëjë me perspektivën sportive. Ai është i vendosur për të bërë një rikthim të fuqishëm në Gjermani.

“Sepse jam i bindur për një gjë: se mund ta bëj dhe se definitivisht kam cilësinë për të luajtur në ligat profesionale gjermane. Dua të tregoj se sa profesionist dhe çfarë lloj personaliteti jam bërë. Mënyra më e mirë për të kompensuar një përshtypje të keqe është të përpiqeni të bindni përsëri në të njëjtin vend. Dhe ky është qëllimi im”, insistoi Avdijaj.

Fokusi te forma fizike dhe dieta

Për qëllimin e tij, Avdijaj ka javë që po punon në përgatitjen e tij fizike. Për ta bërë këtë, ai ka angazhuar trajnerin e performancës Yannick Obenauer, i cili tashmë është kujdesur për profesionistët si Tiemoue Bakayoko, Julian Draxler, Thilo Kehrer, John Anthony Brooks e Mërgim Berisha, dhe nga viti 2010 deri në vitin 2013 ai ishte një trajner atletik te Hoffenheimi.

“Jeta ime e përditshme është që të stërvitem një ose dy herë në ditë, në varësi të planit të stërvitjes dhe asaj që Yannick ka përgatitur për mua. Ne tashmë po përgatitemi në mënyrë që unë të përshtatem plotësisht dhe të jem në gjendje të luaj prej minutës së parë, kudo që shkoj. Kjo është e rëndësishme për mua. Është shumë e ngjashme me një kamp stërvitor individual, por nuk zgjat një javë, por derisa të vijë oferta e duhur”, thotë Avdijaj. “Ndihem vërtet mirë dhe kjo konfirmohet nga testet që i kam bërë për të parë se ku jam. Unë jam në një nivel që jam gati të luaj menjëherë”.

E këtë, e pranon edhe trajneri Obenauer. Ai insiston se Avdijaj është i gatshëm për të luajtur kudo.

“Në përgjithësi, performanca e tij është në një nivel të mirë dhe do të vazhdojë të rritet në afat të mesëm dhe të gjatë. Ai aktualisht është në gjendje të luajë menjëherë në një nivel shumë të mirë”, thotë trajneri 50-vjeçar për Avdijaj. “Fokusi kryesor i trajnimit të Donisit ishte në veçanti optimizmi dhe përmirësimi i mëtejshëm i dhe shpejtësisë me të cilën ai ndryshon drejtim”.

Puna po shpërblehet, siç konfirmon Dr. Stefan Altmann nga Instituti i Teknologjisë në Karlsruhe: “Të hënën e kaluar ne regjistruam të dhëna diagnostike të performancës nga Donisi dhe e gjetëm atë në një gjendje të mirë të performancës. Qëndrueshmëria e tij është aktualisht në një nivel të mirë. Sidoqoftë, ajo që bie në sy, janë rezultatet e tij në fushën e shpejtësisë. Këtu Donisi arriti vlera shumë të mira”.

Përveç formës fizike, lojtari që ka gjashtë ndeshje me Përfaqësuesen e Kosovës, i kushton vëmendje të madhe edhe dietës së tij.

“Bazuar në një kontroll të gjakut, bëra ndryshimet e duhura në dietën dhe plotësimin tim. Kjo është pakoja që më përshtatet tani”, pranon Avdijaj. “Me gjithë pasionin që kam, do të doja ta prezantoja diku veten. Unë jam i mendimit se mund dhe do të bind shumë njerëz këtu nëse më besojnë ose të paktën më ofrojnë mundësinë për ta prezantuar veten në mënyrën më të mirë të mundshme”.