Sport

Brentfordi shokon Arsenali në fillim të sezonit

Brentfordi ka bërë debutim “ëndrrash” në Premier League. Të premten mbrëma, të posangjiturit në elitën e futbollit të Anglisë, shënuan fitore të madhe ndaj Arsenalit në shtëpi, në stadiumin “Brentford Community Stadium”.

Ishte ndeshja e parë e Brentfordit në Premier Leaguen e Anglisë që prej majit të vitit 1947, herën e fundit kur kanë luajtur në rangun më të lartë të futbollit anglez.

Golin e parë të sezonit në Premier League e shënoi Sergi Canos në minutën e 22-të të ndeshjes.

Ndërkohë, për dyfishimin e rezultatit u përkujdes Christian Norgaard. Norgaard realizoi me kokë pas tollovisë së krijuar në zonën e Arsenalit pas ekzekutimit të një anësoreje.

Danezi ishte shumë afër që ta trefishonte rezultatin, por portieri i “revolveristëve”, Bernd Leno, e devijoi tentimin e tij.

Granit Xhaka ishte kapiten në këtë ndeshje dhe luajti për 90 minuta.

Në xhiron tjetër, Brentfordi udhëton te Crystal Palace, derisa Arsenali do të jetë nikoqir i Chelseat.