Sport

Eroll Salihu jep dorëheqje nga posti i sekretarit të FFK-së

 

Eroll Salihu nuk është më sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vet Salihu për KOHËN, të enjten. Ai ka thënë se e ka liruar postin e sekretarit dhe është emëruar në dy poste të tjera. “Po, është e vërtetë që jam larguar nga posti i sekretarit të përgjithshëm në FFK.

15 vjet kam shërbyer në atë post dhe mendoj që e kam dhënë kontributin e duhur. Unë i kam kërkuar Komitetit Ekzekutiv që ta lirojë këtë post dhe Komiteti e ka miratuar kërkesën time. Tani jam emëruar në dy poste të tjera: drejtor për çështje sportivë dhe këshilltar senior ligjor. Janë poste të rëndësishme”, tha Salihu. Ai shtoi se do ta kryejë punën e sekretarit deri në emërimin e sekretarit të ri. Në muajt e fundit, është raportuar se Eroll Salihu ka pasur përplasje fizike me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi. Disa herë ata kanë pasur edhe debate të ashpra. Salihu vlerësohet se ka dhënë kontribut të madh për futbollin e vendit. Ishte futbollist i njohur e po ashtu trajner i suksesshëm. Ndërkohë së bashku me Fadil Vokrrin ka udhëhequr procesin e ndërkombëtarizimit.