Ish-futbollisti i mirënjohur dhe kontribuuesi i madh i futbollit ferizajas ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare, ka njoftuar të enjten KF Ferizaj në “Facebook”.
Haxhimusa, gjithashtu ka qenë për një periudhë të gjatë edhe drejtor sportiv i Ferizajt.
“Të pikëlluar pasi morëm lajmin e hidhur për vdekjen e Nadir Haxhimusës, duam të iu shprehim ngushëllimet më të sinqerta. Ish-drejtori i klubit tonë, Nadir Haxhimusa, që të gjithë e njohim si kontribuues të madh në klubin tonë si dhe ishe një punëtor i pashoq, e si të tillë do ta kujtojmë përgjithmonë. Në këto momente të vështira të gjithë jemi pranë jush, e nderuara familje Haxhimusa”, ka shkruar Ferizaj.
Pas lajmit për vdekjen e Haxhimusës, ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), që ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen e të ndjerit. Në telegramin e ngushëllimit të FFK-së, thuhet se kontributi i Haxhimusës ishte i jashtëzakonshëm, dhe se ai ishte njëri ndër punëtorët më të dalluar sportiv dhe ndër më të merituarit për avancimin e futbollit ferizajas. Madje, thuhet se Nadiri u veçua si personalitet që tërë jetën ia kushtoi futbollit dhe KF Ferizaj.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Nadir Haxhimusa, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta. Nadiri ishte pjesë e gjeneratës së futbollistëve të cilët i rezistuan pushtuesit serb në vitet e 90-ta. Ai ishte sulmues i spikatur i KF Ferizajt dhe me paraqitjet e tij la gjurmë të pashlyeshme në futbollin kosovar, duke u shndërruar në model për shumë breza të rinj ferizajas. Edhe pas përfundimit të karrierës si lojtar, Nadiri gjithmonë i qëndroi afër klubit të tij të zemrës, duke e ndihmuar në forma të ndryshme rritjen e tij, si drejtues dhe menaxher i suksesshëm. Kontributi i tij në klub ishte i jashtëzakonshëm dhe pa dyshim ishte ndër punëtorët më të dalluar sportivë në klub”, ka shkruar FFK-ja ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit.