Sport

Boshnjaku dhe Mici thonë se Prishtina ka forcë ta kalojë kampionin norvegjez

 

Kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Gledi Mici, e vlerësojnë kundërshtarin e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës, Bodo Glimtin. Mirëpo të dy mendojnë se Prishtina ka forcën për ta kaluar edhe këtë pengesë. Prishtina do të luajë kundër kampionit të Norvegjisë, Bodo-Glimtin, të enjten prej orës 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Ky do të jetë takimi i parë i rrethit të tretë kualifikues i Ligës së Konferencës. Ndeshja e kthimit, ku edhe pritet të përcaktohet skuadra që do të kualifikohet në plejofin e kësaj gare, do të zhvillohet pas një jave në Norvegji.

“Nuk besoj që Bodo Glimt është nivel siç ishte Ferencvaroshi. Por sigurisht me kualitet më të lartë si këto ekipet që i eliminuam. Shpresoj që t’i mposhtim dhe të vazhdojmë tutje në Ligën e Konferencës”, deklaroi Boshnjaku për KOHËN, të mërkurën. “Atmosfera në ekip është shumë e mirë, si çdoherë tjetër. Jemi përgatitur dhe presim ditën e ndeshjes. Prishtina ka forcë që ta kalojë këtë kundërshtar. Edhe pse i kemi disa mungesa, mendoj se prapë kemi mundësi, sidomos nëse arrijmë të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë si vendas”.