Sport

Lot gëzimi të Kosovare Asllanit pasi siguroi finalen në Lojërat Olimpike

Futbollistja Kosovare Asllani e ka pritur me shumë emocion kalimin në finale të Lojërave Olimpike. Asllani është pjesë e Suedisë, që të hënën fitoi 1:0 në gjysmëfinale ndaj Australisë, në Yokahama.

Asllani kompletoi ndeshjen gjysmëfinale, ndonëse për shkak të një lëndimi ishte e dyshimtë. Ajo pritet të jetë prej lojtareve kryesore të Suedisë në finalen e 6 gushtit, që luhet në Stadiumin Nacional në Tokio. Suedia do të përballet me Kanadanë.

Derisa ka folur për mediat suedeze pas ndeshjes, Asllani ka shfaqur lot gëzimi.

“Po ndihem në mënyrë fantastike. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Ky ishte synimi prej fillimit dhe ekipi gjithnjë ka pasur ndjenjën se mund të fitojmë medalje. Është vështirë të përshkruhet, por e ndiej se kemi të gjitha për ta fituar të artën. Ne e kemi merituar kalimin në finale. Për këtë kemi punuar çdo ditë”, ka thënë ylli i Suedisë para se t’i dilnin lotët.

“Është ndjenjë e veçantë të jesh në gjendje të realizosh ëndrrat. Ne ushtrojmë çdo ditë për të luajtur këto ndeshje. Ne jemi këtu pasi duam të fitojmë të artën. Zakonisht nuk jam tip që qaj, por ne luajmë këto ndeshje dhe unë jam shumë e përkushtuar për këtë ekip. Ne e meritojmë shumë këtë”, ka shtuar Asllani, që është pjesë e Real Madridit.

Ajo ka medalje të argjendtë nga “Rio 2016”. Ndërsa në vitin 2019 fitoi medalje të bronztë botërore. Para Realit, 32-vjeçarja ka luajtur për skuadra si Linkopingu, Manchester City, Paris Saint-Germaini, Kristianstadi dhe Chicago Red Start. Pra ka karrierë impresive, ndërsa për Suedinë i ka 153 ndeshje.

“Kanadaja është një prej ekipeve më të mira në botë, që ka mposhtur SHBA-në. Do të jetë betejë fizike. Është finalja e dytë rresht. Do të bëjmë çdo gjë që duhet, madje pak më tepër se kjo për ta fituar atë medalje. Mendoj se meritojmë këtë me lojën që kemi shfaqur në turne. Ka diçka të veçantë në këtë ekip. Këtë e shohim para dhe kjo do të thotë shumë. Ndoshta për këtë dalin lotët”, ka theksuar Kosovare Asllani, futbollistja me prejardhje nga Mitrovica.