Sport

Familjarët e Donçiqit në Kosovë: Ai kurrë nuk do të luajë për Kosovën

Ylli i basketbollit Luka Donçiq është me origjinë nga Kosova. Basketbollisti slloven që po shkëlqen në NBA me Dallas Mavericksin, ka familjarë që jetojnë në Kosovë.

Stojan Donçiq 65-vjeçar është vëllai i gjyshit të Luka Donçiqit. Stojan në një intervistë për RTV KiM ka thënë se shpesh pyetët nëse Luka do të luajë ndonjëherë për Kosovë. Ai ka ironizuar se do të ndodhte kjo vetëm nëse Kosova bëhet Amerikë.

Stojani jeton në një fshat mes Klinës e Skenderajt. Ai ka treguar se Luka ka dashur të vijë në vizitë në Kosovë, por se klubi nuk po e lejon atë, pasi po e sheh si jo të sigurt.

“Ne të gjithë e shikojmë Lukën pavarësisht se ku luan. Ai është gjaku ynë. Zemra ime është e mbushur. Shpesh si unë ashtu edhe anëtarët tjerë të familjes qajmë. Jam shumë krenar, dhe fal Lukës, jemi shumë të popullarizuar. Kudo që paraqitem, më pyesin se çfarë e kam Donçiqin. Sidoqoftë, duhet të them se jemi shumë modest, kështu që nuk mburremi me Lukën. Ne dëgjohemi herë pas here me njëri-tjetrin, ai është shumë i zënë. Shumë shqiptarë më pyesin nëse e kam Lukën kushëri. Nganjëherë e shmang t’u them se jam vëllai i gjyshit të tij, nuk është e sigurt. Më shpesh ata më pyesin nëse do të luajë Luka ndonjëherë për të ashtuquajturën Kosovë. Ndoshta kur e ashtuquajtura Kosovë bëhet Amerikë. Ai nuk luajti për Serbinë, pse do të luante për të ashtuquajturën Kosovën. Kurrë nuk do të luajë! Luka dëshiron të vijë, por klubi i tij e mbron, e vlerëson se nuk është e sigurt. Do ta presë Lukan që të hedh topin në koshë, nuk do të vdes derisa ta shoh të hedh topin në kosh”, ka thënë Stojan Donçiq për “RTV KiM”.