Sport

Krasniqi i motivuar të dëshmohet edhe ndaj Ferencvaroshit

Endrit Krasniqi e ndihmoi Prishtinën me tre gola dhe një asistim, për ta siguruar raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kalimi në raundin e parë kualifikues të Championsit vlerësohet e arritura më e madhe për klubin “bardhekaltër”.

Krasniqi, 26-vjeçar, shënoi dy golat e fitores 2:0 ndaj Inter d’Escaldes në finale të turneut parakualifikues, që u organizua në Shqipëri. Ai shënoi gol në ndeshjen gjysmëfinale kundër Folgores, të cilën Prishtina po ashtu e fitoi me shifrat 2:0. Në golin e dytë të shënuar nga Mendurim Hoti, Krasniqi ishte asistues.

Të martën e ardhshme, kampionia në fuqi e Kosovës do ta ketë përballë kampionin e Hungarisë, Ferencvarshin, në Budapest. Ndërsa ndeshjen kthyese të raundit të parë kualifikues të “Championsit”, Prishtina e Ferencvaroshi do ta luajnë më 13 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mesfushori Krasniqi shpreson ta ndihmojë Prishtinën edhe ndaj skuadrës së njohur hungareze.

“Në vitet e fundit kam pasur një stabilitet në formë, por nuk jam i kënaqur. Shpresoj me punë t’i përmirësoj edhe disa gjëra të cilat na duhen. Por, sa i përket peshës dhe rëndësisë, besoj nuk ka më të rëndësishme sesa pjesëmarrja në garat kualifikues të Ligës së Kampionëve. Jam shumë i lumtur që kam mundur ta ndihmoj ekipin në këto dy ndeshje dhe shpresoj të vazhdoj në këtë formë”, ka thënë Krasniqi të enjten për KOHËN. “Mendoj që ishte një motiv shtesë pas rikthimit të titullit që të vazhdojmë me sukses. Jam i kënaqur me paraqitjet e mia në këto dy ndeshje, por më mbetet të vazhdoj dhe të mos kënaqem me kaq. Duhet të kërkoj sa më shumë nga vetja dhe nga secili në ekip”.

Prishtina është skuadra e vetme në Kosovë që ka marrë pjesë në çdo edicion në garat evropiane. Ka luajtur në kualifikimet e Ligës së Evropës, ndërsa këtë edicion për herë të parë merr pjesë në kualifikime të “Championsit”.

Në kualifikimet e Ligës së Evropës ka shkuar vetëm deri në raundin e parë. Krasniqi insiston se Prishtina në Hungari do të udhëtojë për të nxjerrë rezultat të favorshëm. Ferencvaroshi është favorit i madh.

“Besoj se futbolli është i paparashikueshëm dhe shpresojmë të nxjerrim më të mirën nga vetvetja e pastaj të shohim se çka do të ndodhë”, është shprehur mesfushori nga Malisheva.

Krasniqi karrierën si senior e ka nisur te 2 Korriku i Prishtinës, ndërsa për një kohë ishte edhe te të rinjtë e klubit spanjoll Lugo. Por, ai u kthye te Prishtina, ndërsa në periudha të ndryshme luajti edhe për Dritën. Edhe me Dritën pati sukses, duke fituar titullin e kampionit. Së fundi, Prishtinës iu bashkua në vitin 2019 dhe ka kontratë ende.

Ai thotë se ka oferta për të bërë karrierë edhe jashtë vendit, por shton se është i kënaqur te Prishtina.

“Kam disa oferta, por për momentin jam rehat te Prishtina dhe nuk e kam mendjen të ndryshoj ambient. Por, futbollit nuk i dihet asnjëherë. Shpresoj të luaj edhe për disa vite të mira. Por, nuk i dihet rrugës se çfarë mund të ndodhë. Mbetet të shihet se si do të funksionojë, sepse në futboll ka momente kur detyrohesh ta lësh pas një viti apo pas dhjetë vjetësh. Mbetet të shihet”, ka thënë Krasniqi.