Sport

Konfirmohen pesë normat e xhudistëve kosovarë për Tokio 2020

Distria Krasniqi

Të martën është konfirmuar rritja e jashtëzakonshme e ekipit kosovar të xhudos në vitet e fundit. Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka publikuar listën e xhudistëve të kualifikuar për Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe pjesë e saj janë plot pesë xhudistë nga Kosova.

Në “Londra 2012”, me normë kishte garuar Majlinda Kelmendi. Në “Rio 2016” me normë shkuan Majlinda dhe Nora Gjakova. Majlinda fitoi të artën ndërsa Nora për shkak të lëndimit u eliminua herët.

Tani Kosova i ka pesë xhudistë me normë.

“Dhe të gjithë janë pretendentë për medalje”, thotë Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo. Ai është shumë krenarë për rritjen e ekipit.

“Sigurisht se synim është medalja. Bëhet fjalë për ngjarjen më të madhe dhe secila medalje do të ishte sukses i jashtëzakonshëm”, ka shtuar Kuka.

Xhudistët kosovarë shquhen për punën e madhe që bëjnë. Dhe puna pritet t’u siguroj vend në piedestal, në Tokio.

“Kemi punuar shumë dhe po vazhdojmë të punojmë shumë. Forma e xhudistëve pres që të arrijë kulmin në Tokio dhe të shohim se si do të kalojmë. Puna e madhe që kemi bërë do të duhej të shpërblehet me medalje. Por nuk do të jetë lehtë për asnjërin. Të gjithë më të mirët në botë synojnë medalje olimpike”, thekson Driton Kuka.

Garat e xhudos në Tokio 2020 fillojnë më 24 korrik. E para garon Distria Krasniqi. Vazhdojnë Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova e Loriana Kuka.

Periudha e kualifikimit është dashur të përfundoj në qershor të vitit 2020, por është shtyrë për qershor 2021, pasi Olimpiada u shty për një vit.

Distria do të jetë bartësja e parë në kategorinë deri 48 kilogramë. Majlinda është bartësja e pestë në kategorinë deri 52 kilogramë, njëjtë si Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë. Loriana Kuka është e nënta në ranglistën olimpike në kategorinë deri 78 kilogramë, kurse Akil Gjakova është i njëmbëdhjeti në kategorinë deri 73 kilogramë.

Të gjitha xhudistet kosovare me normë, kanë medalje botërore dhe evropiane. Akil Gjakova është kampion evropian. Dhe të gjithë janë adutë të Kosovës për medalje në ngjarjen kulmore.