Sport

Krasniqi thotë se Prishtina me meritë mposhti Folgoren

Endrit Krasniqi

Kapiteni i Prishtinës, Besnik Krasniqi e ka vlerësuar si ndeshje të vështirë përballjen me Folgoren.

Ai ka deklaruar se me meritën e kanë kaluar në finale.

“Të them të drejtën ish e vështirë. Ishte ndeshja e parë pas pushimit. Patëm shumë raste dhe nuk shënuam dhe patëm pak penikë. Por, shënuam golin e parë, patëm shumë raste të tjera dhe realizuam edhe golin e dytë. Kundërshtari dha maksimumin, por mendoj që me meritë kaluam në finale”, u shpreh Krasniqi.

Ai e pranon se nuk kanë njohuri për kundërshtarin që do ta kenë në finale, D’Escaldes nga Andorra.

“Nuk kemi njohuri për kundërshtarin, por do të hyjmë për të fituar. Është ndjenjë e veçantë për mua të luajë me Prishtinën në Ligën e Kampionëve. Unë jam fëmijë i Prishtinës, jam i lumtur dhe besoj që edhe finalen do ta fitojmë dhe ta kalojmë këtë raund”, u shpreh Krasniqi.