Sport

Sergio Ramos largohet nga Real Madridi

Real Madridi e ka konfirmuar largimin e kapitenit Sergio Ramos.

Ramosit i skadon kontrata me Realin në fund të qershorit, ndërsa nuk është arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës.

“Real Madridi njofton se nesër, më 17 qershor, në ora 12:30, do të ketë një ceremoni nderimi dhe lamtumirëse për kapitenin tonë Sergio Ramos, me praninë e presidentit tonë Florentino Perez. Më tej, Sergio Ramos do të paraqitet para mediave në një konferencë”, ka njoftuar klubi madrilen.

Ramos 35-vjeçar te Real Madridi ishte transferuar në verën e vitit 2005 nga Sevilla për 27 milionë euro. Me Real Madridin fitoi pesë herë titullin e Spanjës, katër herë Ligën e Kampionëve, dy herë Kupën e Spanjës, katër herë Superkupën e Spanjës, tri herë Superkupën e Evropës dhe katër herë Botërorin e klubeve.

Klubi madrilen kishte tentuar të vazhdonte kontratën me Ramosin, duke i ofruar kontratë të re njëvjeçare. Por, qendërmbrojtësi kishte insistuar në kontratë të re dyvjeçare.