Christian Eriksen me gjasë ka pësuar sulm në zemër, por arriti të rimarrë veten për mrekulli, ka thënë ish-kardiologu i tij te Tottenhami, Sanjay Sharma.
Profesori Sharma, që e testoi çdo vit Eriksenin nga 2013 deri më 2020, ka thënë se Eriksen nuk kishte një histori të njohur me probleme në zemër, por se asnjë test nuk të jep garanci të plotë.
Ai ka thënë se 29-vjeçari duket se e rimori veten shpejt, duke marrë parasysh se zemra e tij ndaloi për afro pesë minuta, transmeton Daily Mail.
“Nëse i kanë bërë CPR agresive dhe kanë përdorur defibrillatorin, atëherë unë do ta quaja një arrest kardial primar si rezultat i kalimit të zemrës në një ritëm të keq”, ka thënë Sharma. “Ajo që pash është se kur shkoi në drejtim të topit, atij i ‘humbën’ totalisht këmbët, e më pas ra përtokë. Në momentin kur bie përtokë e deri te momenti kur zemra jote fillon të funksionoj sërish llogaritet si ‘DT’. Sa më e gjatë që je në ‘DT’ aq më të këqija janë gjasat të mbijetosh. Për çdo minut që nuk arrijnë të kthejnë në jetë, gjasat për të mbijetuar zvogëlohen për afro 5 për qind. Normalisht kur dikush kalon në ‘DT’ për pesë apo gjashtë minuta, atëherë është në gjendje shumë të rëndë dhe duhet ventiluar, duke futur një gyp në fyt për ta ndihmuar të marrë frymë. Por Eriksen është një djalë i ri dhe i përgatitur fizikisht”.
Eriksen aktualisht luan te Interi. Ai ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës te Tottenhami.
“Nga koha kur e transferuam detyra ime te Tottenhami kishte qenë ta kontrolloja dhe e testuam çdo vit. Sigurisht testet e vitit 2019 ishin plotësisht normale dhe nuk shfaqej asnjë problem në zemër. Çdo vit ai është testuar”, ka thënë Sharma.
Sharma ka thënë se është e mundur që Eriksen të ketë zhvilluar ndonjë problem në zemër që kur iu bashkua Interit nga Tottenhami në janar të vitit 2020, ndonëse Interi ka kryer teste po ashtu.
“Padyshim kemi pasur edhe COVID-in. Disa futbollistë mund të kenë pasur infeksion nën-klinik COVID, që mund të ketë rezultuar edhe në dëmtim të zemrës”, ka thënë Sharma.
Sulmi i pësuar nga Erikseni të shtunën në ndeshjen e Euro 2020 mes Danimarkës dhe Finlandës tronditi botën. Kardiologët vlerësojnë se nëse konstatohet se 29-vjeçari ka pësuar sulm në zemër, atëherë karriera e tij në futboll ka mbaruar, e veçanërisht ajo në Itali, ku ka ligje të rrepta sa i përket futbollistëve me probleme me zemër.