Sport

Prej Kane te Benzema: sulmuesit më të rrezikshëm të Evropianit

Me një vit vonesë shkaku i pandemisë së kroonavirusit, të premten do të nisë Kampionati Evropian. Përfaqësuesja e Portugalisë është kampione e Evropës në fuqi, dhe do të synojë ta mbrojë trofeun e fituar para pesë vjetësh. Megjithatë, konkurrenca do të jetë shumë e fortë për trofeun e Kampionatit Evropian, në të cilin do të marrin pjesë 24 përfaqësuese. Shumica e ekipeve në radhët e veta kanë sulmues të spikatur që kanë shkëlqyer edicionin e shkuar nëpër klubet e tyre. Dhe, po ata sulmues pritet të jenë vendimtarë për përfaqësueset që do të luajnë në “Euro 2020”.

Romelu Lukaku

Belgjika është ekipi më i renditur në botë dhe është ndër pretenduesit kryesorë për të fituar një turne të madh, tre vjet pasi përfundoi e treta në kampionatin botëror “Rusia 2018”. Shpresat e belgëve do të varen në një masë të madhe nga forma e Kevin de Bruynet dhe Eden Hazardit, por ata do të kenë nevojë për sulmuesin Romelu Lukaku për ta futur topin në rrjetë. Lukaku, 28-vjeçar, pritet të jetë në formën jetësore për Evropian. Ai është i freskët nga 30 golat e shënuar në të gjitha garat për Interin, përfshirë 24 në Serie A, duke ndihmuar ekipin që ta fitojë titullin e kampionit pas 11 vjetësh. Ai gjithashtu është golashënuesi më i mirë i Belgjikës, me 60 gola në 93, përfshirë katër në Botërorin e vitit 2018 dhe shtatë gola të tjerë në vetëm pesë paraqitje në kualifikimet për “Euro 2020”.

Image

Cristiano Ronaldo

Ronaldo është 36-vjeçar, kështu që kjo mund të jetë paraqitja e tij e parafundit në një turne të madh ndërkombëtar. Roli i tij në triumfin e Portugalisë në “Euro 2016” ishte në të vërtetë i kufizuar - shënoi vetëm tre gola, megjithëse, përfshirë atë të epërsisë në gjysmëfinale kundër Uellsit dhe në finale kundër Francës, u largua në pjesën e parë për shkak të lëndimit. Sidoqoftë, në Evropian gjërat do të jenë krejtësisht ndryshe dhe Ronaldo pritet të jetë lojtari kryesor i Portugalisë. Ai po vjen nga një sezon në të cilin shënoi 36 gola për Juventusin, dhe kapiteni i Portugalisë tani po shikon rekordin e të gjitha kohërave për shënimin e golave për një përfaqësuese. Këtë rekord aktualisht e mban Ali Daei i Iranit me 109 gola të shënuar, gjashtë më pak se Ronaldo që është i vendosur për ta kaluar këtë shifër.

Image

Harry Kane

Synimi i Kanet në Evropian është lënë në hije nga pasiguria për të ardhmen e tij në nivel klubi, pasi ai muajin e kaluar tha se mund të largohet nga Tottenhami. Megjithatë, kapiteni 27-vjeçar i Anglisë do të duhet të mendojë për të ardhmen e tij pas Evropianit, pasi tani duhet të përqendrohet për ta udhëhequr sulmin e përzgjedhësit Gareth Southgate, i cili të paktën synon gjysmëfinalet. Shënuesi më i mirë në kampionatin botëror “Rusia 2018” me gjashtë gola, Kane, shënoi 12 gola të tjerë në kualifikimin e Anglisë për “Euro 2020” dhe u shpall golashënuesi më i mirë në Premier League sezonin e fundit. Ai shënoi 23 gola, pavarësisht që Tottenhami nuk pati paraqitje të mira në kampionat.

Duke pasur parasysh lojtarët përreth tij te Anglia që mund të krijojnë raste për Kanen, atëherë sulmuesi anglez pritet të jetë tejet efikas në Evropian.

Robert Lewandowski

Në moshën 32-vjeçare, Lewandowski është në kulmin e formës të tij. Ai së fundi theu rekordin e kahershëm të Gerd Muellerit për më shumë gola në një sezon në Bundesligë, pasi ai shënoi 41 herë në 29 paraqitje për Bayern Munichun. Po të ishte dhënë “Topi i Artë” vitin e kaluar, Lewandowski do të ishte një fitues i denjë. Shanset e tij për ta fituar atë këtë vit ndoshta varen nga mënyra sesi ai paraqitet në Evropian për Poloninë, dhe Lewandowski nuk ka bërë mirë në turnet e fundit. Ai shënoi vetëm një herë në “Euro 2016” dhe nuk shënoi asnjë gol në Botërorin e fundit, ku Polonia u eliminua në fazën e grupeve.

Image

Gerard Moreno

Spanja nuk mund të mburret me skuadrën e mbushur me yje sikurse viteve të kaluara, por nuk ka mungesë të talentit në dispozicion për përzgjedhësin Luis Enrique dhe njeriu që duhet të shikohet në sulm është Moreno. 29-vjeçari e ndihmoi Villarrealin ta fitojë Ligën e Evropës, kurse në La Liga realizoi hiç më pak se 23 gola. Më shumë gola në kampionat se Moreno pati vetëm ylli i Barcelonës, Lionel Messi. Ai gjithashtu shënoi shtatë herë në Ligën e Evropës. Një lulëzim i vonshëm i Morenos te Villarreali bëri që ai të debutojë te Spanja vitin e shkuar në kualifikimet për Kampionatin Evropian.

Image

Karim Benzema

Kthimi i Benzemas te Franca ishte një lajm i bujshëm, pasi sulmuesi i Real Madridit u kthye pas më shumë se pesë vjetësh. Ai nuk kishte luajtur për vendin e tij që nga një skandal shantazhi që përfshinte ish-shokun e tij të skuadrës Mathieu Valbuenan në vitin 2015. Shpresat e tij për t’u kthyer u shuan në janar të këtij viti, kur prokurorët francezë thanë se kishin vendosur t’i dërgonin Benzeman dhe katër të tjerë për gjykim. Sidoqoftë, përzgjedhësi Didier Deschamps nuk mund ta injoronte formën e mirë të Benzemas pas një sezoni në të cilin ai shënoi 30 gola për klubin e tij. Kthimi i tij për Evropian e bën edhe më të frikshëm sulmin e Përfaqësueses së Francës.

Image