Sport

Southgate e sheh gjysmëfinalen në “Euro 2020” si barometër të suksesit

Descriptive Text

Pasi arriti në dy gjysmëfinale gjatë mandatit të tij si përzgjedhës i Përfaqësueses së Anglisë, Gareth Southgate, thotë se ai dhe ekipi do të kenë dështuar nëse nuk kualifikohen në mesin e katër më të mirëve në “Euro 2020”. Ekipi i Southgatet sfidoi të gjithë për të arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, gjë të cilën trajneri anglez po e synon edhe në Evropianin, i cili nis më 11 qershor. Në “Euro 2020”, Anglia është në grup me Kroacinë, e cila i pati eliminuar në gjysmëfinale të Botërorit “Rusia 2018”, pastaj me Çekinë dhe Skocinë. Megjithatë, Anglia do të ketë përparësi ndaj kundërshtarëve tjerë të grupit D, pasi të gjitha ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen në stadiumin “Wembley” në Londër.

“Po, mund të quhet ashtu”, tha Southgate, kur u pyet nëse do të ishte dështim për Anglinë në rast se nuk arrin deri në gjysmëfinale të Evropianit. “Unë mendoj se ne duhet të jemi realistë për synimet tona. A jemi gati të fitojmë? Epo, kemi qenë në dy gjysmëfinale, kështu që hapi tjetër është të përpiqemi të shkojmë më tej”.

Southgate insistoi se ndihet mirë nga pritjet e mëdha të tifozëve të Anglisë, të cilët po shpresojnë se mund ta festojnë titullin e kampionit të Evropës për herë të parë. Anglia suksesin më të madh në këtë turne e ka pozitën e tretë, të cilën e siguroi në vitin 1968 dhe 1996.

“Atmosfera është fenomenale në ekip derisa pritjet nga të tjerët na motivojnë edhe më shumë për sukses”, shtoi Southgate.

Southgate përfshiu lojtarët kryesorë, kapitenin e Manchester Unitedit, Harry Maguiren dhe kapitenin e Liverpoolit, Jordan Henderson, në listën e tij përfundimtare për Evropian, pavarësisht se të dy ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga lëndimi.

Ai pranoi që të dy përballen me një betejë për të qenë të aftë për ndeshjen hapëse kundër Kroacisë që do të zhvillohet më 13 qershor, por insistoi se prania e tyre në ekip është bonus për lojtarët e rinj.

Me një moshë mesatare të ekipit deri në 25 vjeç, Anglia do të futet në “Euro 2020” si njëra prej përfaqësueseve më të reja.

“Maguire dhe Henderson kanë edhe pak punë për të bërë që të jenë të gatshëm për lojë. Por, ata kanë rol të rëndësishëm në ekip dhe prania e tyre vetëm se e forcon ekipin tonë”, tha Southagte.

Një nga lojtarët e rinj që mund të përfitojnë prej këshillave të Hendersonit dhe Maguiret është 17-vjeçari i Borussia Dortmundit, Jude Bellingham. Bellingham, që ka dy paraqitje deri më tani me Anglinë, do të jetë lojtari i dytë më i ri te Anglia që shkon në një turne të madh pas Theo Walcottit në vitin 2006.

“Bellingham është lojtar fenomenal. Ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Anglinë”, pranoi Southgate.