Sport

Rrugëtimi i Cityt deri në finale të “Championsit”

Manchester City dhe Chelsea janë në finale të Ligës së Kampionëve, por rrugëtimi i tyre deri në këtë fazë të garës nuk ka qenë aspak i lehtë.

Manchester City, i treti në ranglistën e UEFA-s, e ka shënuar suksesin më të madh në këtë garë me arritjen në finale. Sezonin e kaluar u eliminua nga Lyoni në çerekfinale.

Në këtë edicion të garës, City ka shënuar 11 fitore, 1 barazim dhe asnjë humbje. Ka shënuar 25 gola dhe ka pranuar vetëm katër.

Ishte fitues i Grupit C, ndërsa e eliminoi Monchengladbachun në 1/8 e finales 4:0 me rezultat të përgjithshëm. Në çerekfinale e eliminoi Dortmundin 4:2, kurse në gjysmëfinale mposhti Paris Saint-Germainin, 4:1.

Pep Guardiola e ka përdorur sistemin e 9-shit fals dhe ka pasur efekt tejet të madh këtë sezon, me lojtarë si Riyad Mahrez, Phil Foden, Bernardo Silva, Kevin De Bruyne, madje edhe Ilkay Gundogan, që të gjithë të përfshirë në sulmin e Cityt.

Një prej lojtarëve më të rëndësishëm në ekipin e teknikut spanjoll është De Bruyne. Ai është koka e krijimit të aksioneve. Me elegancën e tij, vizionin dhe pasimet të cilat i bën, pa i përmendur vrapimet dhe përfundimet e shkëlqyera të aksioneve, e bëjnë atë një prej lojtarëve më të mirë në botën e futbollit.

Në 12 sezone si trajner, Guardiola ka fituar nëntë tituj të ligave, por dy prej medaljeve si fitues i Ligës së Kampionëve u takojnë shumë vjetëve më parë. Të fundit e kishte fituar në vitin 2011.

Tani, Guardiola synon të bëhet trajneri i gjashtë që e fiton Kupën Evropiane me dy klube të ndryshme.

Edersoni në portë, Walker, Stones, Ruben Dias, Zinchenko, Bernardo Silva, Fernandinho, Gundogan, Mahrez, De Bruyne dhe Foden pritet ta prezantojnë Cityn në finale.