Sport

Rruga e veçantë e Kantes deri te finalja e Championsit

Me shumë mundësi është mesfushori më i admiruar në futbollin modern. Madje N’Golo Kante e ka mahnitur me punën e tij trajnerin Thomas Tuchel, që në janar të këtij viti mori drejtimin e skuadrës së Chelseat.

“Nëse luan me N’Golon do të kesh gjysmë njeriu më shumë në fushë”, tha Tuchel për mesfushorin fantastik të Chelseat.

Mesfushori i palodhshëm 30-vjeçar ka udhëhequr Chelsean drejt kualifikimit në finalen e Ligës së Kampionëve, duke kryer me përpikëri detyrat e tij në fushë. Mirëpo Kante ka kaluar një kohë tepër të gjatë për të arritur këtu ku është tani, në majën e futbollit botëror.

Kante nuk heziton të tregojë rrugën e vështirë, pasi u refuzua nga akademitë e shumta në Francë përpara se të fillonte karrierën e tij në nivelin e dytë. Ai u bë një emër i madh i futbollit vetëm pasi e ndihmoi Leicester Cityn të fitojë titullin e kampionit në Premier League në edicionin 2015/16.

Për rrugën e tij të gjatë deri në krye

“Nëntë vjet më parë, kur isha duke luajtur për rezervat në Boulogne dhe bëra debutimin tim profesional në Ligue 2, isha shumë i uritur për të pasur sukses në futboll. Nuk e dija sa larg mund të shkoja, thjesht doja të bëhesha profesionist dhe bëj më të mirën. Për të arritur këtu ku jam sot, te Chelsea dhe të jem me fat sa për të luajtur në një finale të Ligës së Kampionëve, duke pasur parasysh gjithçka që ka ndodhur ndërkohë, është e mahnitshme”, ka thënë Kante. “Kur e them këtë, atëherë e gjithë kjo ngritje e imja ka ndodhur pak nga pak, edicion pas edicioni, me fitore, me humbje, me gëzim dhe me zhgënjim. Të gjitha këto, më kanë formuar mua si lojtar dhe mendoj se më ka ndihmuar të bëhem lojtari që jam tani”.

Kante pritet të jetë lider i Chelseat në finalen e Championsit me Man. Cityn, që luhet të shtunën nga ora 21:00 në “Estadio do Dragao” në Porto.

Për edukimin e tij në futboll 

“Unë nuk isha domosdoshmërisht lojtari më i mirë ose më i talentuar në ekip, por dhashë më të mirën nga vetja me aftësitë që kisha. Duke u rritur fillova të shikoja video të futbollistëve të mëdhenj, si Diego Maradona, Ronaldo dhe Ronaldinho. Nganjëherë me miqtë e mi përpiqesha t’i imitoja dhe të shënoja si ata. Sidoqoftë nuk kam përfunduar duke luajtur si ata ose në të njëjtën pozitë. Unë gjithashtu isha më pak i talentuar se ata”, pranon Kante. “Unë kisha një numër të madh të provave duke u rritur. Unë u refuzova disa herë nga akademitë. Unë nuk i pashë ato si dështime, personalisht, por si mundësi për të parë veten se ku isha me nivelin e akademisë. Në atë kohë, unë nuk i thosha vetes se duhej të pranohesha në një akademi për t’u bërë profesionist. Thjesht po mendoja se duhej të jepja më të mirën, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhte. Mendoj se refuzimi më ka formuar më shumë si lojtar”.

Për ndikimin e tij

“Duke u rritur trajnerët ose shokët e ekipit mund të më thoshin se unë nuk ngjaja me një lojtar të tillë. Unë isha thjesht dikush që shikoja futboll; do të shikoja ndeshjet që më interesonin, pa u përqendruar te lojtarët në një pozicion të ngjashëm si i imi. Sa herë që ndodhte pushimi i ndeshjeve ndërkombëtare, unë pa dyshim që do të shikoja Francën duke luajtur. Gjithashtu do të shikoja lojtarët si Claude Makelele ose Lassana Diarra, prej të cilëve u frymëzova në një moment”, pranon Kante. “Por në fund të fundit, unë nuk jam si ata. Unë isha me fat që isha në kontakt me ta dhe ata janë lojtarë të shkëlqyeshëm me karrierën madhështore, ndërsa unë kam karrierën time dhe rrugën time. Kam pasur disa biseda me Clauden qëkur kam ardhur në Chelsea. Ai ishte këtu dhe me ka dhënë këshilla për lojën time dhe ndikimin që mund të kem në lojë. Të jesh në gjendje të flasësh me të për këtë është e dobishme për mua, sepse ai e njeh pozicionin tim”.

Për përballjen në finale me ish-bashkëlojtarin te Leicesteri, Riyad Mahrez

“Ne kemi folur për këtë finale. Të dy e kuptojmë se është një ndeshje e jashtëzakonshme. Na është dashur të bëjmë punë të madhe në Ligue 2 për të arritur këtu ku jemi tani, pasi edhe Riyadi ka një rrugëtim të tillë. Mirëpo, ne nuk jemi dorëzuar dhe kemi punuar shumë në lojë e stërvitje. Kështu që të luash një ndeshje si kjo është fantastike. Por të dy duam të fitojmë, kështu që nuk do të jemi shokë në fushë. Shpresoj se do të funksionojë për mua, dhe ai shpreson se do të funksionojë për të, natyrisht!”, tha Kante.