Disa persona janë lënduar dhe më tepër se 100 tifozë të Cërvena Zvezdës janë arrestuar pas përplasjeve të dhunshme gjatë festimit të titullit të Serbisë në futboll, raporton agjencia AP.
Tifozët filluan fillimisht të ndiznin fishekzjarrë nga urat dhe brigjet e lumit Sava në qendër të Beogradit në mbrëmjen e të shtunës dhe më pas filluan të tërboheshin nëpër një çark të Beogradit ku ndodhen disa restorante të njohura.
Klientët vrapuan në panik apo u mbyllën brenda restoranteve, ndërsa tifozët shkatërruan tavolinat e karriget, thyen dritaret dhe u përleshën me sigurimin e restoranteve, për të cilët tifozët e Cërvena Zvezdës thonin se janë tifozë të klubit rival Partizan.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, për televizonin serb RTS ka treguar se rreth 130 tifozë kryesisht të Cërvena Zvezdës janë arrestuar dhe disa persona janë lënduar gjatë trazirave.
“Kjo nuk do të tolerohet më. Ky llum që turpëroi qytetin tonë, Cërvena Zvezdën dhe festën e saj, meriton të ndëshkohet ashpër”, tha Vulin.
Në të vërtetë ishte njoftuar më herët për festën e tifozëve dhe u lejua nga autoritetet, përkundër ndalesës së tubimeve masive shkaku i pandemisë.
Serbia ka një histori të tolerimit të huliganizimit që shpesh ka rezultuar në dhunë dhe shpërthim të nacionalizimit.
Me kthimin e nacionalistëve në pushtet në Serbi nëntë vjet më parë, tifozët e futbollit të ekstremit të djathtë shpesh janë parë në tubime pro-qeveritare, duke vepruar si sigurim ndërsa kanë promovuar agjendat politike nacionaliste. Në shkëmbim, thonë analistët, huliganët janë lejuar të ndjekin aktivitetet e tyre të paligjshme biznisore.
Disa anëtarë të një grupi radikal të tifozëve të Partizanit janë arrestuar që nga shkurti dhe akuzuar për vrasje, kidnapim dhe trafikim të drogës në atë që zyrtarët e kanë quajtur goditje të madhe kundër krimit të organizuar.