Mesfushori kosovar, Blendi Idrizi, pritet të mbetet te skuadra e Schalkes edhe pas përfundimit të këtij edicioni.
“Sky Sport” ka njoftuar të mërkurën se drejtuesit e ekipit gjerman kanë nisur negociatat me Idrizin për t’ia vazhduar kontratën që i skadon muajin tjetër. Paraqitjet e mira të Idrizit me ekipin e parë të Schalkes, kanë bërë që drejtuesit e klubit gjerman të insistojnë ta mbajnë më gjatë në radhët e veta.
23-vjeçari deri më tani ka dy paraqitje me ekipin e parë të Schalkes. Ai debutoi në humbjen ndaj Hertha Berlinit (2:1) kurse realizoi gol në fitoren kundër Eintracht Frankfurtit (4:3).
“Te Schalke janë të vendosur për t’ia rinovuar kontratën Blendi Idrizit pasi nuk dëshirojnë ta lejojnë të largohet në fund të sezonit si lojtar i lirë.
Schalke është në negociata me Idrizin dhe mesfushori është i gatshëm ta pranoj ofertën”, ka shkruar “Sky Sport”.
Schalke edicionin e ardhshëm do të garoj në Bundesligën 2 kurse mësohet se interesim për Idrizin tashmë kanë shprehur disa skuadra të kësaj kategorie. Idrizi në janar të vitit të shkuar iu bashkua ekipit të dytë të Schalkes nga Fortuna Koelni kurse para debutimit me ekipin e parë, ai këtë sezon ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar po aq herë në 31 ndeshje në kategorinë e katërt të futbollit gjerman.