Sport

Integrimi përmes futbollit – rasti i Elizabeta Ejupit

Elizabeta Ejupi ka qenë futbolliste profesioniste prej moshës 16-vjeçare, por ky sport nuk ka qenë pjesë e planeve të prindërve të saj që i kishin për të bijën. Në fakt, ata e kanë parë futbollin si mbijetesë në moshën e hershme të vajzës së tyre.

Familja e Ejupit ishte e detyruar të udhëtonte më shumë se 2.500 kilometra për në Londër, për të ikur nga situata gjithnjë e më e paqëndrueshme në vendlindjen e saj, në Kosovë, që atëbotë ishte nën një re lufte ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përkrahur nga NATO-ja dhe Serbisë. Konflikti kishte filluar në vitin 1998 dhe lufta u përkeqësua përpara se të përfundonte në qershor të vitit pasues. Gjatë periudhës së luftës, të gjithë ata që jetonin në Kosovë ishin jashtëzakonisht të rrezikuar, në mesin e tyre edhe familja e Elizabetës.

“Nuk ishte aspak një kohë e mirë, kishte shumë gjenocid”, tha mesfushorja e ekipit London City Lionesses, Elizabeta Ejupi, derisa kujton gjërat që prindërit e saj i kishin thënë për të jetuarit në një zonë lufte.

“Shumë njerëz gjithashtu kanë kaluar nëpër gjëra të ngjashme dhe ne duhet të flasim për këtë për ta bërë luftën të ndalet dhe për të mos lejuar që të vazhdojë diku tjetër”.

Me familjen e saj që u vendos në Londër kur ajo ishte vetëm trevjeçare, adaptimi i Elizabetës aspak nuk ishte i lehtë. Megjithatë, futbolli shumë shpejt u bë shpëtim për kosovaren, e cila nisi të adaptohej në mjedisin e ri. Këtë e pranon edhe vetë Ejupi, e cila tani është 27-vjeçare.

“Ishte pa dyshim shumë vështirë, kryesisht të mësuarit e një gjuhe të re, por unë mendoj se futbolli i bëri shumë të lehta gjërat për mua”, thotë Ejupi, ekipi i së cilës luan në kategorinë e dytë të futbollit në Angli. “Vetëm duke luajtur futboll kam arritur të komunikoj me njerëzit dhe kam krijuar shumë miqësi. Futbolli më ndihmoi shumë në çdo aspekt të jetës. Jam rritur në një vend ku të gjithë luanin futboll në rrugë gjatë tërë kohës, kështu që edhe unë iu bashkova”.

Duke luajtur futboll nëpër rrugët e Londrës së Jugut, Ejupi arriti të zhvillohej shumë në këtë sport. Në fakt, futbolli i rrugës e ndihmoi Ejupin, siç ka ndihmuar disa prej lojtarëve të Anglisë që të dalin në skenë, si Jadon Sancho (Borussia Dortmund), Callum Hudson-Odoi (Chelsea) e Wilfried Zaha (C. Palace).

“Unë u dashurova në këtë sport duke luajtur nëpër rrugë. Krijova shumë miq dhe mësova shumë për veten. Në fakt aty e kuptova se doja të bëhesha futbolliste. Kur luan në rrugë duhet ta meritosh vendin tënd dhe unë bëra një gjë të tillë pasi nuk u dorëzova për asnjë moment”.

Përderisa i përsosi aftësitë e saj duke luajtur në rrugë, u bë më se e qartë që Ejupi ishte një futbolliste e talentuar. Dhe, pikërisht aty ku u rrit, Ejupi e nisi edhe udhëtimin e saj në futbollin profesionist. Në vitin 2005, në moshën 11-vjeçare ajo iu bashkua akademisë së Charlton Athleticut, kurse pesë vjet më vonë debutoi me ekipin e parë.

“Pauline Pope (ish-portierja e Anglisë) ishte lojtare profesioniste në atë kohë. Ajo më pa duke luajtur në oborrin e shkollës fillore dhe më ftoi që të shkoja në prova te Charltoni. Përfundimisht isha shumë e frikësuar, sepse nuk mendoja se do të më pranonin në atë moshë”, ka thënë Ejupi, që karrierë ka bërë edhe në elitën e futbollit anglez. “Kur shkova atje ishte gjithçka ndryshe, sepse për herë të parë po luaja në një fushë me 11 lojtare. Ishte gjithçka ndryshe prej futbollit në rrugë, por arrita të adaptohesha shumë shpejt dhe e dëshmova veten”.

Ejupit i mjaftoi pak kohë për të bindur të gjithë te Charltoni se ishte një lojtare e talentuar dhe prej asaj kohe ajo nuk e ka kthyer më kokën prapa.

“Kur më pranuan u ndjeva shumë mirë dhe krijova vetëbesim të madh”, shtoi ajo.

Ejupi e fitoi medaljen e bronztë në Lojërat e të Rinjve të Londrës derisa u promovua nga akademia në ekipin e parë të Charltonit. Në ekipin e parë të Charltonit, Ejupi qëndroi për tre vjet përpara se të vazhdonte karrierën te Nottingham Foresti, Notts County e Aston Villa.

“Futboll kurrë nuk kam luajtur për para, por për shkak se e kam dashur si sport. Megjithatë, me kalimin e kohës e kuptova se futbolli ishte profesioni im. Unë doja të isha e barabartë me të gjitha futbollistet e tjera dhe ia dola”, shprehet Elizabeta.

Ajo preferoi ta pranonte ofertën e ekipit London City Lionesses, të cilit iu bashkua në vitin 2019. Thotë se arsyeja kryesore që refuzoi ofertat e tjera ishte se London City Lionesses ishte i fokusuar dhe i dedikuar pas ekipit të femrave.

“Është një klub me ambicie shumë të mëdha. Kur kuptova për projektin për t’u fokusuar vetëm në ekipin e femrave, nuk hezitova aspak t’i bashkohem. Të gjithë në klub po punojmë për të pasur suksese”, thotë Ejupi.

Jashtë futbollit, Ejupi punon në një projekt shoqëror “XLP” që merret me të rinjtë që kanë nevojë për përkrahje. Ajo insiston se dëshiron t’i frymëzoj vajzat e reja që të merren me futboll duke ua treguar rrëfimin e saj se si ka ikur nga lufta dhe sporti e ndihmoi të integrohet në shtetin e ri.

“Mendoj se është e rëndësishme që t’i ndihmojmë vajzat e reja dhe t’i motivojmë që të merren me sport, në veçanti futboll. Për mua është e rëndësishme që t’i stërviti ato dhe t’i shtyjë drejt ëndrrës që një ditë mund të bëhen profesioniste”, tha Ejupi.

Para më shumë se një dekade, Ejupi ka qenë pjesë e përfaqësueseve të reja të Anglisë, kurse në vitin 2011 ka debutuar me Shqipërinë. \ Sky Sports

Image