Sport

Anulimi “politik” i miqësores mes Kosovës e Kazakistanit

Descriptive Text

Moldavia nuk kishte pranuar të priste Kosovën në territorin e saj, ndërsa Spanja ishte munduar ta përmendte sa më pak Kosovën në deklarimet publike. Tani Kazakistani ka refuzuar të udhëtojë për në Prishtinë për të luajtur miqësoren e aranzhuar. Është Qeveria e Kazakistanit që ka vendosur të mos e lejojë përfaqësuesen e këtij vendi të udhëtojë për në Kosovë. Në FFK thonë se vendimi është i natyrës politike. Kosovës i dalin ende vështirësi me vendet që nuk e njohin shtetin

Në profilin zyrtar të Federatës së Futbollit të Kazakistanit në Facebook ende është njoftimi për miqësoren mes Kosovës dhe Kazakistanit. Njoftimi është i 23 prillit, ndërsa në të bëhet e ditur se marrëveshja për miqësoren e 4 qershorit në Prishtinë është nënshkruar mes federatave të të dyja vendeve. Është paraqitur në disa vende flamuri i Kosovës dhe janë dhënë informata bazë për përfaqësuesen e Kosovës. Është paraqitur edhe një pano e ndeshjes.

Federata e Futbollit e Kazakistanit nuk ka lëshuar njoftim të ri për këtë ndeshje, por është Federata e Futbollit e Kosovës që të martën njoftoi se miqësorja e aranzhuar për 4 qershor në “Fadil Vokrri” është anuluar.

FFK-ja ka njoftuar se Kosovës i janë ndryshuar dy kundërshtarë të qershorit. Kosova do t’i luajë katër miqësore në qershor.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se për shkak që Qeveria e Kazakistanit nuk ka lejuar Kombëtaren e këtij vendi të udhëtojë në Kosovë, ndeshja miqësore e paraparë për t’u zhvilluar më 4 qershor në Prishtinë, Kosovë – Kazakistan, është anuluar. Në këtë datë ‘Dardanët’ do të luajnë miqësore me Maltën në Austri. Ndërkohë miqësorja tjetër e paraparë për t’u zhvilluar në Antalya, më 8 qershor kundër Komorosit, do të zëvendësohet me Guinenë, pasi Komorosi për shkak të restrikcioneve për hyrje në Turqi si pasojë e COVID19, e ka të pamundur të udhëtojë në këtë datë në Antalya”, ka njoftuar FFK-ja.

Federata e Kazakistanit edhe më 30 prill kishte konfirmuar miqësoren me Kosovën në Prishtinë. Atë ditë kishte njoftuar për një miqësore më 7 qershor ndaj Maltës në Austri. Me Maltën në Austri do të luajë edhe Kosova, por në terminin kur është dashur të përballet me Kazakistanin në Prishtinë.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës besojnë që vendimi i Qeverisë së Kazakistanit është plotësisht politik. Kazakistani nuk e njeh shtetin e Kosovës, madje e kishte kundërshtuar fuqishëm vendimin për shpalljen e pavarësisë. Qeveria e Kazakistanit e kishte lidhur rastin e Kosovës me Abkhazinë dhe Osetinë Jugore.

Megjithatë, Federata dhe Qeveria e Kazakistanit duket se qëndrojnë në një linjë sa i takon Kosovës.

“Besoj se është vetëm çështje politike, sepse marrëdhëniet sportive janë shumë të mira mes dy vendeve”, ka thënë për KOHËN, Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Njoftimi që ka publikuar Federata e Kazakistanit në Facebook bën të qartë qëndrimin e saj për trajtim të njëjtë të Kosovës me përfaqësueset e tjera. Por situata ndryshon kur bëhet fjalë për Qeverinë.

“Nga Federata e Kazakistanit kemi pranuar vetëm njoftim. Prandaj besohet se arsyet janë vetëm politike”, ka shtuar Ademi.

Federata e Kazakistanit është formuar në vitin 1992 dhe fillimisht u pranua në FIFA dhe në Konfederatën e Azisë. Por në vitin 2002 kaloi në Konfederatën Evropiane, UEFA. Kazakistani nuk ka ndonjë lojtar të njohur apo ndonjë sukses ndërkombëtar. Më shumë suksese ka në futsal.

Në ranglistën e FIFA-s është më poshtë se Kosova. Kosova renditet e 120-a, ndërsa Kazakistani mban vendin e 124-t.

“Dardanët” kanë kohë pas kohe telashe me vendet që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Së fundi kishte bërë bujë rasti në Spanjë, me të cilën Kosova luajti ndeshje kualifikuese. Për shkak të presionit politik, spanjollët kishin shmangur maksimalisht përdorimin e emrit të shtetit të Kosovës. Në transmetimet televizive në Spanjë ishin bërë manovra të ndryshme për ta prezantuar sa më pak Kosovën. Edhe në faqen zyrtare të Federatës spanjolle, Kosova ishte përmendur fare pak. Madje kishte pasur tendencë për ta diskriminuar Kosovën edhe në mënyra të ndryshme, por pa sukses, për shkak të qëndrimit te prerë të UEFA-s.

Për arsye politike, Kosova nuk përballet me Serbinë, Rusinë e Bosnjë-Hercegovinën. Por telashe të natyrës politike, përkatësisht të prezantimit, ka edhe me vende të tjera që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Pos Spanjës, me qëndrim diskriminues shquhet edhe Ukraina, që ende nuk lejon sportistët kosovarë të hyjnë në këtë vend. Ka edhe shtete të tjera, kryesisht të afërta me politikën e Rusisë, që kanë qëndrime anti-Kosovë dhe tentojnë diskriminimin.

Kosova në kualifikimet për Botëror i ka në grup tri përfaqësuese që nuk e njohin shtetin tonë. Pos Spanjës, janë edhe Greqia e Gjeorgjia. Derisa me Greqinë, Kosova është përballur edhe më herët dhe nuk ka pasur telashe të prezantimit, mbetet të shihet si do të jetë me Gjeorgjinë. Në FFK kanë shprehur besim se nuk do të ketë telashe për prezantim të barabartë.

Jo shumë kohë më parë Moldavia kishte refuzuar të organizonte ndeshjen me Kosovën në territorin e saj, pikërisht për faktin se nuk e njeh Kosovën. Dhe ndeshja ishte organizuar në Itali.

Kosova në qershor, pos me Maltën e Guinenë, luan edhe me San Marinon e Gambinë. Ndeshja me San Marinon, përfaqësuesen më të dobët në botë, zhvillohet më 1 qershor në Prishtinë. FFK-ja kishte njoftuar se në dy ndeshjet e para Kosova do të luajë me ekipin më të fortë. Ndërkohë për ndeshjet në Antalya të Turqisë rastin do ta fitojnë lojtarë të tjerë, kryesisht të Superligës. Në Antalya, Kosova pos me Guinenë, luan edhe me Gambinë. Këto ndeshje janë më 8 e 11 qershor.