Sport

Martinez thotë se lënia e Januzajt jashtë “Euro 2020” ishte vendimi më i vështirë

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Belgjikës, Roberto Martinez ka pranuar se vendimi i tij më i vështirë ishte lënia e Adnan Januzajt jashtë listës për “Euro 2020”. Martinez të hënën ka publikuar listën e futbollistëve për Kampionatin Evropian që nis muajin e ardhshëm derisa Januzajn e ka lënë në listën e pritjes.

”Mund të them se lënia e Januzajt jashtë Evropianit ishte vendimi më i vështirë për mua sepse me të vërtetë e çmoj talentin e tij”, ka pranuar Martinez të martën për mediumet belge.

Martinez ka thënë se nuk e ka përfshirë Januzajn në listën e 26 futbollistëve për “Euro 2020” pasi konkurrenca është e fortë në pozitën e tij, por ai e ka lënë të hapur derën e Përfaqësueses së Belgjikës për sulmuesin e Real Sociedadit në të ardhmen.

“Adnani nuk është përfshirë sepse futbollistët tjerë janë të përgatitur më mirë se ai për momentin. Mirëpo, Januzaj ka të ardhme të ndritur para vetes”, ka shtuar Martinez. Januzaj 26-vjeçar ka 13 paraqitje dhe një gol me fanellën e Belgjikës kurse këtë sezon për Sociedadin ka shënuar katër gola dhe ka bërë po aq asistime në 35 ndeshje të gjitha garat.