Sport

Ancelotti kërkon që Evertoni të mos jetë “mikpritës i mirë”

Trajneri italian, Carlo Ancelotti, ka premtuar se skuadra e Evertonit “do të ndryshojë qasjen sezonin e ardhshëm”, duke nisur nga ndeshjet si vendëse.

Ancelotti ka thënë se Evertoni më nuk do të jetë mikpritës i mirë, pasi këtë edicion i kanë kushtuar shtrenjtë humbjet në shtëpi. Në fakt Evertoni ka regjistruar nëntë humbje në stadiumin “Goodison Park” dhe Ancelotti në asnjë mënyrë nuk po mund të pajtohet me këtë fakt.

Humbja 1:0 të dielën nga Sheffield Unitedi, që zë vendin e fundit në Premier League, shfaqi problemet e Evertonit si vendas dhe pothuajse u ka dhënë fund shpresave për një kualifikim të mundshëm në garat evropiane për sezonin e ardhshëm. Evertoni ndoshta do të duhet t’i fitoj dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni për të pasur një mundësi për të luajtur në Evropë. Një prej këtyre ndeshjeve të Evertonit, është ajo kundër Manchester Cityt në xhiron e fundit të këtij edicioni.

Evertoni është i teti në tabelë me 56 pikë, tri më pak se Tottenhami dhe West Hami që renditen në pozitat gjashtë dhe shtatë. Për dallim prej humbjeve si vendas, Evertoni këtë sezon ka treguar efikasitet të madh në ndeshjet si mysafir, pasi ka regjistruar 11 fitore, më së shumti në Premier League që nga edicioni 1984/85 kur e fitoi titullin e kampionit.

“Për sezonin e ardhshëm ne do të ndryshojmë”, insistoi Ancelotti të hënën. “Ne duhet të analizojmë sezonin. Disa aspekte janë vërtet të mira, pasi jashtë kemi arritur rezultate fantastike, por në gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për ndeshjet në shtëpi. Kemi treguar një fytyrë të dyfishtë dhe prej sezonit të ardhshëm, nuk do të jemi më mikpritës të mirë, përfundimisht, sepse kjo po na kushton”.

Emri i Ancelottit po përmendet ditët e fundit më një rikthim të mundshëm te Real Madridi, pasi Zinedine Zidane pritet të largohet nga ekipi spanjoll në fund të sezonit. Sidoqoftë, italiani 61-vjeçar insistoi se është tërësisht i përqendruar për ta formuar një ekip të fortë tek Evertoni për sezonin e ardhshëm, me të cilin do të synojë trofe.

“Për të qenë gati për Evropën duhet të jesh në Evropë. Ne duhet të përpiqemi t'i fitojmë të dy ndeshjet e fundit dhe të shohim nëse jemi në Evropë apo jo. Nëse jemi, ne do të ndërtojmë një skuadër për të qenë në Evropë. Nëse nuk jemi, do të ndërtojmë një skuadër për të qenë më të mirë në Premier League”, thotë Ancelotti.

Ambiciet e Ancelottit ishin më të mëdha kur Evertoni renditej në pozitën e dytë në Premier League në fund të muajit dhjetor. Mirëpo, ëndrrën për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, atij ia ka prishur forma e dobët e ekipit që e ka shfaqur si vendës. Vetëm dy ndeshje të fituara si vendas në vitin 2021, kanë bërë që Evertoni të jetë ekipi i dytë me bilancin më të keq në shtëpi pas Fulhamit këtë sezon.

“Ne kemi luajtur kaq keq, saqë unë me të vërtetë jam i poshtëruar. Unë duhet të marr përgjegjësinë për këtë, por shpresoj që edhe lojtarët të bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Ancelotti, i cili shpreson që Evertoni për ndeshjen e ardhshme në shtëpi të reflektojë. “Të mërkurën e presim Wolverhamptonin dhe shpresoj të jetë si alarm për t’u zgjuar nga gjumi. Është vështirë ta shpjegoj se pse Evertoni këtë sezon më mirë po luan në udhëtim”.

Ancelotti e mori drejtimin e Evertonit në dhjetor të vitit 2019 dhe ka kontratë me ekipin nga Premier League deri në vitin 2024. Ai është njëri prej trajnerëve më të trofeshëm dhe më të mëdhenj në botën e futbollit. Para Evertonit ka drejtuar edhe skuadrat si Napoli, Bayern Munich, Real Madrid, Paris Saint-Germain, Chelsea, Milan, Juventus e Parma.