Sport

Parisi i afrohet në vetëm një pikë liderit

Paris Saint-Germaini ka fituar bindshëm ndaj Reimsit për ta bërë edhe më interesante garën për titull në Ligue 1 të Francës. Në kuadër të xhiros së parafundit (37), PSG-ja të dielën mbrëma fitoi 4:0 ndaj Reimsit.

Tani Parisi është i dyti me 79 pikë, vetëm një më pak se Lille që kryeson. Lille mori vetëm barazim pa gola ndaj St. Etienne.

Në vend të tretë është Monaco me 77 pikë. Monaco të dielën fitoi 2:1 ndaj Rennesit.

Yjet Neymar, Kylian Mbappe, Marquinhos dhe Moise Kean shënuan për Parisin. Reimsi prej minutës së dhjetë luajti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Yunis Abdelhamid. Arbër Zeneli luajti prej minutës së 56-të për Reimsin.

Në xhiron e fundit, më 23 maj, Lille luan në udhëtim me Angersin e vendit të 12-të, ndërsa Parisi po në udhëtim takohet me Brestin e vendit të 16-të, që po lufton për t’i ikur plejautit. Monaco luan në udhëtim me Lensin e vendit të gjashtë.